E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Të marrë fund korrupsioni në shëndetësi



"Duhen hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi". Këtë deklaratë bëri dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Task Force-s së shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili referoi për masat e marra deri më tani nga ministria për këtë qëllim, siç janë sistemi i referencës dhe minimizimi i kontakteve informale ndërmjet mjekut e pacientit, që kanë çuar në minimizimin e fenomenit të pagesës nëndorë dhe rregullin në kryerjen e vizitave mjekësore. Kryeministri vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, por kërkoi që të marrë fund problemi i mungesës së barnave në spitale, i mosfunksionimit të aparaturave apo mosbërjes së analizave e ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin publik shëndetësor. Një vend me rëndësi në diskutimet në takimin e Task Force-s iu kushtua çështjes së Universitetit Mjekësor, e për të bërë hapat e duhur e të matur në këtë drejtim, Kryeministri i kërkoi ministrave të linjës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për kalimin e departamenteve të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive, si dhe kërkoi t`i krijohet hapësira e duhur punësimit dhe konkurrimit të mjekëve të rinj e të talentuar, me kontribute e aktivitete të shprehura shkencore. Një nga çështjet që Task Forca shqyrtoi me vëmendje të veçantë ishte dhe informatizimi i shërbimit spitalor dhe atij farmaceutik, parë si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor, që ky t`i përgjigjet standardeve më të mira të kërkuara, proces që duhet bërë nën drejtimin e AKSHI-t, gjithmonë duke pasur parasysh praktikat më të mira në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›