E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët: Larg duart nga vota

Ambasadori i OSBE: Të mos ketë votime kolektive

Kur kanë mbetur vetëm katër ditë nga dita e zgjedhjeve, faktori ndërkombëtar ka lëshuar paralajmërimin e fundit, duke i kujtuar politikës shqiptare që të respektojë standardet e kërkuara për këto zgjedhje. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, duke mbështetur edhe mesazhin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, deklaroi se zgjedhjet duhet të bëhen sipas standardeve, sepse nuk ka më justifikime për një vend i cili është anëtar i NATO-s. Ambasadori Bosch deklaroi dje se partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme dhe të garantojnë zgjedhësit se e diela do të jetë sukses i jashtëzakonshëm dhe që shqiptarët të mund të marrin pjesë më në fund në zgjedhje që ata i meritojnë, zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. Ambasadori u shpreh se kësaj radhe këto zgjedhje duhet të funksionojnë, ndaj dialogu publik duhet të mbetet i qetë dhe i arsyeshëm. Duke vënë theksin te vota e lirë, ambasadori i OSBE-së theksoi se "të gjithë votuesit të lejohen të shkojnë në kutinë e votimit të lirë, në mënyrë që ata të votojnë në mënyrë të fshehtë dhe të pavarur për këdo që dëshirojnë. Cilido qoftë, burrë apo grua, fshatar apo qytetar, plak apo i ri, punonjës i sektorit privat apo atij shtetëror, çdo votues duhet të lejohet të ushtrojë të drejtën e tij apo të saj kushtetuese në përputhje me ndërgjegjen e vet, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë presion të jashtëm". "Le të jenë zgjedhjet e 2009-ës, tha Bosch, zgjedhjet që do të hapin një kapitull të ri në zhvillimin demokratik të këtij vendi". "Le të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit ‘instruktohen‘ që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar", u shpreh ambasadori. Ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që ta shijojnë të dielën e 28 qershorit, sepse ditët e zgjedhjeve - si në shumicën e demokracive - shihen si ‘festivale të demokracisë‘, që do të thotë: hidheni votën tuaj. Le të mos harrojmë, theksoi ambasadori, se zgjedhjet bëhen për popullin dhe se ato nuk janë pronë personale e partive politike. Për ambasadorin e OSBE-së të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të sigurt se të dielën ata do të jenë dëshmitarë të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sipas ambasadorit çdo votë vlen, çdo votë do të numërohet dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve do të jetë plotësisht i lirë, i hapur dhe transparent. "Unë ndihem i sigurt se vota e popullit shqiptar ditën e diel do të nxjerrë një qeveri të zgjedhur në mënyrë të lirë, një qeveri që do të punojë gjatë katër viteve të ardhshme për të mirën e popullit dhe që do të punojë aktivisht për përmbushjen e ambicieve integruese të popullit shqiptar", u shpreh ambasadori. Ai u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve që nuk i kanë marrë ende letërnjoftimet e tyre, të shkojnë e t‘i marrin tani, sepse kjo është e rëndësishme, pasi pa to nuk do të mund të votojnë. Ambasadori i OSBE-së ka shprehur besimin se gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit policia do të luajë rolin e saj të paanshëm për të garantuar qetësi dhe mbarëvajtje. "Puna e policisë deri të dielën dhe në vetë ditën e zgjedhjeve do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit të publikut në procesin e zgjedhjeve. Për ‘shërbimin policor‘ që ajo ofron, policia do të shihet nga njerëzit e këtij vendi si aktori që do të ndihmojë për krijimin e një klime të qetë dhe pa probleme. Unë besoj se ajo jo vetëm që do t‘i përmbushë standardet e larta që arriti rreth dy vjet më parë, por se ditën e diel, policia do ta rrisë edhe më shumë nivelin e saj të suksesit", u shpreh ambasadori Bosch.

Withers flet troç: Mos i prekni votat

I zhveshur nga petku i një diplomati, duke u shfaqur më shumë si një dashamirës i shqiptarëve, ambasadori amerikan, John Withers, lëshoi dje paralajmërimin e fundit para zgjedhjeve të së dielës. Për të shmangur çdo lloj interpretimi për shkak të deklaratave diplomatike, Withers preferoi të flasë hapur, pa dorashka, për atë çfarë pret SHBA-ja nga Shqipëria dhe çfarë e pret Shqipërinë në rast se nuk plotësohen standardet. Një paralajmërim i qartë dhe i pastër për të gjithë faktorin politik që të mos tentojë të manipulojë zgjedhjet, sikundër ka ndodhur në të tjera procese. "Ju e kuptoni që zgjedhjet të cilat nuk përmbushin standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme, mund të pengojnë perspektivën euroatlantike të Shqipërisë. E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATO-s, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t‘i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më", deklaroi Withers. Më tej, ambasadori amerikan i renditi të gjithë skenarët përmes të cilëve mund të manipulohen votat. Ndaj ai zgjodhi që të komunikojë drejtpërsëdrejti me zgjedhësit shqiptarë, duke kërkuar prej tyre që të mos bëhen pjesë e manipulimit të votave dhe t‘i denoncojnë ato te vëzhguesit. "Ndërsa futeni në qendrat e votimit më 28 qershor, mos harroni: Amerika është në krahun tuaj, Amerika ju mbështet. Votoni në paqe, në liri dhe pa frikë", tha Withers. Referuar gjithë proceseve zgjedhore të viteve të shkuara, Withers renditi të gjitha fenomenet negative, duke kërkuar hapur që në këtë proces të mos përsëriten. "Nëse dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t‘ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes suaj, nëse dikush ju kërkon që të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo ndonjë zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë, nëse dikush përpiqet që të vërë dorë mbi kutitë e votimit, apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato te vëzhguesit", tha ambasadori amerikan, duke e vënë sidomos theksin te fakti se "komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA-në, do të jetë duke ju vëzhguar". Deklaratat e Withers u bënë gjatë një takimi të organizuar nga ish-kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, i cili prezantoi programin që do të shpallë rezultatet e zgjedhjeve gjatë numërimit të votave, ku ishin të pranishëm edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, si edhe kreu i misionit të OSBE-së, Robert Bosch. Programi mbështetet nga USAID-i dhe Withers e pa me vend që të sqarojë se Ambasada Amerikane e mbështet, kjo sepse iniciativa vjen nga shoqëria civile, por ai u prirur të sqarojë se nuk bëhet fjalë për një model amerikan dhe se rezultatet e këtij programi nuk shprehin pikëpamjet e shtetit amerikan.
"Numërimi paralel nuk është numërim zyrtar i votave dhe as nuk ka për qëllim që të zëvendësojë numërimin zyrtar të votave. Vetëm KQZ-ja e ka autoritetin ligjor për të shpallur fituesin e zgjedhjeve. Numërimi paralel ka për qëllim që të mbajë numërimin e votave nën vëzhgim të afërt, si edhe të kontrollojë saktësinë e tij, me qëllim që të përforcojë besimin e publikut në rezultatet e zgjedhjeve. Shenja dalluese e kësaj sipërmarrjeje e përmbledh shumë mirë këtë ide", nënvizoi diplomati amerikan. Në vëmendje të tij ishte edhe KQZ-ja. Ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh për transparencën në këto zgjedhje dhe për përpjekjet që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›