E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë nga viruset, QKR: Bilancet të dërgohen dorazi

Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) për të mbrojtur sistemin e saj elektronik nga rreziku i transmetimit të viruseve ka njoftuar dy ditë më parë bizneset se Bilanci Vjetor Kontabël dhe Raporti i Auditimit nuk do të pranohen nëpërmjet postës elektronike (e-mail). Sipas Qendrës, dokumentet do të dorëzohen përkohësisht pranë sportelit të QKR-së vetëm në format elektronik të ruajtur në CD. Drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, sqarojnë ndër të tjera se, formati i Bilancit të pranuar do të jetë PDF ose Excel (read-only).

"Në rastin kur subjekti zgjedh formatin e dorëzimit të Bilancit në formën Excel (read-only) duhet të bashkëngjisë të skanuar brenda formatit të CD një dokument të lëshuar nga vetë subjekti nëpërmjet të cilit të vërtetohet firma e nënshkruesit të bilancit dhe vula e shoqërisë, të cilat nuk mund të pasqyrohen në formatin Excel", pohon zyrtarisht QKR-ja.

Me këtë rast, bizneseve iu është kujtuar edhe afati i dorëzimit të dy dokumenteve, që është data 31 korrik. Bëhet fjalë për Bilancin Kontabël të vitit ushtrimor 2007, dhe në rast të shkeljes së afatit, parashikohen penalizime për biznesin.

Për të dorëzuar bilancin dhe pasqyrat financiare biznesi duhet të paraqesë vendimin e asamblesë së ortakëve, bilancin dhe pasqyrat financiare origjinale si dhe autorizimin për aplikantin për të kryer këtë veprim.

Masa e re që kërkon të aplikojë QKR-ja mund t‘i shkaktojë biznesit kosto shtesë, por zyrtarët e Qendrës garantojnë se ndryshimi i procedurave do të jetë përkohësisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›