E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Ekonomia shqiptare ka shenja të qarta të ngadalësimit

Banka e Shqipërisë paralajmëroi dje se ekonomia shqiptare ka dhënë "shenja të qarta ngadalësimi" dhe se inflacioni është në rritje si pasojë e zhvlerësimit të monedhës kombëtare, lek. Në një analizë të publikuar pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Mbikëqyrës, BSH nuk dha një parashikim mbi ecurinë e rritjes ekonomike. Por për shkak të frikës nga rritja e çmimeve, BSH vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit në ekonominë shqiptare prej 5.75 përqindësh. Shumë biznesmenë patën shpresuar se BSH do të ndjekë një politikë më ndihmuese për ekonominë. Sot, norma bazë e interesit të lekut është pesë herë më e lartë se normat bazë të euros dhe dollarit, gjë që ka mbajtur të lartë interesin e kredive në lekë. Gjatë muajve të fundit, si pasojë e rritjes së interesave të bonove të thesarit, kredia në lekë është bërë dy herë më e kushtueshme sesa kredia në euro në Shqipëri, por vetë bankat kanë filluar të refuzojnë kërkesat për kredi në euro duke i detyruar shqiptarët të pranojnë interesat e shtrenjta të lekut.

"Analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore", - tha Banka e Shqipërisë.

"Ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit dhe konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie", vijon më tej deklarata.

Bankat qendrore të vendeve të zhvilluara kanë reduktuar ndjeshëm interesat bazë në ekonomi, si dhe kanë vendosur kreditim pa limit për bankat e nivelit të dytë, gjë që ka krijuar oferta për kredi shumë të lirë. Në Europë dhe SHBA, interesat e kredive për biznesin dhe individët kanë zbritur për herë të parë nën 5 për qind. Përkundrejt kësaj, Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë me vetëm 0.5 për qind gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Inflacioni në rritje

BSH duket e shqetësuar për shkak të ndikimit që po jep dobësia e lekut në çmimet e mallrave të importuar. Sipas saj, zhvlerësimi i lekut u pasqyrua me çmime më të larta për konsumatorët.

"Presionet e jashtme inflacioniste kanë ardhur në rritje: ulja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore është kompensuar nga nënçmimi i lekut gjatë kësaj periudhe, duke rezultuar në rritjen e çmimeve në vend të disa mallrave të importit dhe duke sjellë një rritje të lehtë të inflacionit në muajin maj kundrejt nivelit të shënuar në muajin e shkuar", - thotë BSH.

"Inflacioni vjetor në muajin maj të vitit 2009 rezultoi 2.1 për qind, duke u rikthyer brenda intervalit të tolerancës rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Kontributin kryesor në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet e papërpunuara me 1.8 pikë përqindjeje dhe ato të përpunuara me 0.3 pikë përqindjeje", - konkludon banka qendrore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›