E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pranon: Viti i kaluar, -1 miliard USD

Qeveria ka pranuar rezultatin e shpenzimeve dhe të të ardhurave të realizuara për vitin 2008, duke miratuar Buxhetin Faktik. Në total, rezulton një humbje për ekonominë rreth 1 miliard dollarë, si efekt i mosrealizimeve të të ardhurave dhe shpenzimeve. Shifrat u bënë publike në orët e vona të dy ditëve më parë, kur Kryeministri Sali Berisha certifikoi të gjithë bilancin ekonomik të vendit. Kështu, nga totali i të ardhurave, referuar planit në Buxhetin e Shtetit 2008 (përfshi edhe suplementarin), janë mbledhur rreth 400 milionë dollarë më pak, kurse shpenzimeve në total u mungojnë rreth 600 milionë dollarë. Rënia e shpenzimeve, duke përfshirë edhe investimet, ka ndikuar në uljen e deficitit buxhetor me rreth 250 milionë dollarë. Për vitin 2008, referuar Buxhetit Faktik, rezulton një deficit prej 600 milionë dollarësh. Për pasojë, efekti negativ në buxhet për vitin e kaluar dhe i pranuar nga Kryeministri me vendimin e dy ditëve më parë del rreth 1 miliard dollarë. Buxheti Faktik (të ardhurat dhe shpenzimet reale dhe jo plani) miratohet në mesin e çdo viti, për të planifikuar buxhetin e vitit që vjen.

Në total, janë shpenzuar nga arka e shtetit rreth 3.1 miliardë dollarë, ndërsa janë arkëtuar 2.5 miliardë dollarë. Financimi i deficitit buxhetor është mundësuar nga 250 milionë dollarë borxhe që qeveria ka marrë nga bankat vendase (30 milionë nga Banka e Shqipërisë). Tjetër fakt i rëndësishëm është treguesi i të ardhurave nga privatizimet, ku rezulton shifra prej 56 milionë dollarësh, në një kohë që në 2008, qeveria privatizoi për 135 milionë dollarë ARMO-n.

Borxhet e marra nga qeveria vitin e kaluar rezultojnë obligacione 2-7 vjet, me vlerë 230 milionë dollarë, ndërsa diferenca janë bono thesari.

Edhe gjatë këtij viti, treguesi i të ardhurave nuk rezulton pozitiv sipas planit, në një kohë që shpenzimet kanë prekur majat, duke rrezikuar seriozisht deficitin buxhetor. Vetëm nga doganat, të ardhurat kanë rënë me rreth 40 milionë dollarë për 4 muajt e parë të vitit, kurse shpenzimet janë rreth 400 milionë dollarë më shumë, nga këto, rreth 200 milionë janë investimet publike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›