KQZ porosit 700 fletë votimi shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve porosit prodhimin e 700 fletëve të reja votimi, të cilat pritet të mbërrijnë në vendin tonë ditën e premte, kundrejt kostos prej 2500 eurosh. Shkak për këtë kërkesë të re të komisionit janë bërë dy qendra votimi që duhet të ngrihen në dy vende ku të dënuarit vuajnë dënimin, në Burgun e Kosovës në Lushnjë dhe një tjetër burg në Fushë-Krujë. Kreu i KQZ-së vërejti se është një gabim i krerëve të njësive vendore që nuk i kanë përfshirë të burgosurit në listën përfundimtare e si e tillë duhet të ngrihen qendrat e votimit brenda këtyre dy burgjeve dhe të pajisen me fletët e votimit. Propozimi i KQZ-së ra në kundërshtimin e përfaqësuesve juridikë të opozitës, por edhe të anëtarëve të majtë të këtij komisioni. Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, hodhi dyshime për manipulime me fletët e votimit. Komisioni Qendror e ka mbyllur kontratën me firmën "Cetis", e cila prodhoi fletët e votimit që në momentin që ajo bëri dorëzimin për më shumë se tre milionë fletë, ndaj porosia për 700 të tjera është jashtë kontrate. Kreu i KQZ-së bëri të ditur se ka negociuar me përfaqësuesit e firmës dhe ata kanë pranuar t‘i prodhojnë kundrejt shumës 2500 euro. "Përderisa ju keni arritur të negocioni për të prodhuar jashtë kontratës 700 fletë votimi, do të thotë që mund të prodhoni edhe 60 mijë fletë ekstra. Kjo është totalisht antiligjore dhe mos harroni jemi tri ditë para zgjedhjeve. Sa fletë votimi keni hedhur? Kjo më duket një arsye e fortë që të mendoj se bëhet fjalë për një manipulim. Dhe ju z. kryetar po kontribuoni në prishjen e procesit. Mirë kjo është çështje e frikës së qeverisë, po juve si kryetar nuk ju kuptoj", deklaroi përfaqësuesi juridik i PS-së. Gjonçaj u kundërshtua nga përfaqësuesi juridik i PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili vlerësoi se bëhet fjalë për të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për të votuar, ndaj nuk mund të mohohej kjo e drejtë e të burgosurve të këtyre dy burgjeve. Ndërsa nënkryetarja e KQZ-së, Deshira Subashi, duke theksuar se ishte pjesë e këtij institucioni prej 6 vjetësh, theksoi se rasti në fjalë është i paprecedent. Madje ajo përmendi se fenomeni me votën e të burgosurve shkon larg këtyre dy rasteve. Ajo tha se një anëtar i KZAZ së Lezhës i ka dërguar një mesazh në telefonin celular, ku i kërkonte ndihmë për një fenomen në Burgun e Shën Kollit. Sipas Subashit, në mesazh thuhej se në listën përfundimtare të këtij burgu kishte 459 votues dhe me vendim gjykate kjo listë është shtuar me 43%. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, vërejti të drejtën kushtetuese për të votuar, ndaj dhe në këtë rast nuk duhej mohuar. Një tjetër shqetësim i ngritur nga përfaqësuesit e majtë është numri i saktë i të burgosurve të këtyre dy burgjeve. Ata vërejtën se nuk ka një dokument zyrtar që të provojë se sa është numri i tyre, madje as kërkesat për fletët e votimit nuk është e protokolluar. Pas shumë debateve, KQZ-ja miratoi me katër vota pro dhe tre kundër udhëzimin për 700 fletë votimi shtesë.