E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët, Mustafaj: Kanë faj Topi dhe Berisha

 

Aristir Lumezi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, i bën thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha, që të zgjidhin ngërçin e krijuar me mungesën e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. "Në këtë rast përgjegjësia është shumë e madhe e Kryeministrit, por nuk është pa përgjegjësi dhe Presidenti Topi. Kryetari i shtetit duhet të jetë më i vëmendshëm dhe më konsekuent në ndjekjen e këtij problemi, sepse dekretimi bëhet nga Presidenti. Kryeministri dhe Presidenti duhet të këshillohen më dendur për këtë gjë dhe të kemi një ritëm takimesh që lidhet me politikën e jashtme", theksoi Besnik Mustafaj. Sipas tij, dy drejtuesit e lartë të shtetit duhet të këshillohen me njëri-tjetrin për zhbllokimin e procedurave të emërimit të ambasadorit Lauka, ose të bien dakord për një kandidaturë tjetër. Deputeti demokrat fajëson kreun e shtetit për mosdekretimin si detyrim të tij kushtetues, por duke i kujtuar dhe Kryeministrit se në rast se ka ndërruar mendje për z. Lauka, në mënyrë urgjente duhet të vendosë për një emër tjetër. Ai apelon se Shqipëria duhet të jetë prezent në Kosovë, në të kundërt mungesa e mëtejshme ngarkon me përgjegjësi dy drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Bamir Topin dhe Sali Berishën. Por duket që kjo mosmarrëveshje mes Topit dhe Kryeministrit vjen për kandidaturën e diplomatit Islam Lauka, për të cilin edhe pse është propozuar nga kreu i qeverisë Berisha, shërbimi i tij diplomatik në Kosovë është anuluar nga Komisioni i Politikës së Jashtme, gjë të cilën Mustafaj nuk e quan normale. Për këtë, z. Mustafaj pohon se "e kam vlerësuar si një zgjedhje shumë të drejtë, po më pas nuk e di pse është tërhequr". "Unë nuk di arsyet pse ka mbetur pezull vazhdimi i procedurave. Nuk e quaj anormale nëse Kryeministri ka ndërruar mendje, por ama duhet të gjendet një kandidaturë tjetër", u shpreh Besnik Mustafaj. Prej 10 muajsh Shqipëria mungon me ambasadorin e saj në Kosovë. Ai që duhej të përfaqësonte Tiranën zyrtare në Kosovë është Islam Lauka, të cilin e propozoi Kryeministri Sali Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë. Por që atëherë, emërimi i tij ka mbetur pezull dhe mendohet për shkak të disa kontradiktave mes Kryeministrit dhe Presidentit të vendit, i cili duhej të hidhte menjëherë firmën mbi emrin e Islam Laukës. Gjatë vizitës së sotme të Presidentit Topi në Kosovë, do të shoqërohet nga i ngarkuari me punë në Prishtinë, Arben Çejku, i cili është dekretuar si ambasador i Shqipërisë në Maqedoni. Marrëdhëniet e ndera mes Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha lënë vendin pa ambasadorë. Janë mbi 13 shtete në të cilat Shqipëria përfaqësohet nga të ngarkuarit me punë, të cilët emërohen nga Ministria e Jashtme. Duket se marrëdhëniet jo normale institucionale mes Presidentit të Republikës dhe kreut të Ekzekutivit, por dhe raportet e ftohta mes Presidentit dhe Kryetares së Parlamentit, nënkryetare e PD-së, kanë krijuar në përfaqësimin diplomatik të vendit tonë në botë një imazh aspak serioz për një vend që kërkon me insistim të anëtarësohet në familjen e vendeve evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›