E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gomorra”, kandidat për çmimin “Bafta”

 

Vazhdon rruga e suksesit për filmin “Gomorra”. Filmi me regji të Mateo garrones, mbështetur mbi librin me të njëjtin titull të Roberto Savianos, është kandidat për çmimin “Bafta” (British Academy of Film and Television Arts). Ceremonia e ndarjes së trofeve do të zhvillohet në datën 18 shkurt. Në krah të filmit të mbështetur mbi best sellerin e Savianos, në kategorinë e filmave “jo në gjuhën angleze”, konkurrojnë edhe filmat “La banda Badeer Meinhof”, “I’ve Loved You So Long”, “Persepolis” e “Valzer con Bashir”. “Gomorra” mund të quhet një nga filmat më të suksesshëm të vitit që shkoi. Më 11 dhjetor u nderua me “Globin e Artë” si filmi më i mirë i huaj, fitoi “Grand Prix” në Festivalin e Kanës dhe ishte kandidat për “Palmën e Artë”. Fitoi çmimin si filmi më i mirë në “European Film 2008” që u zhvillua në Kopenhagën. Të tjera çmime ka fituar në Festivalin e Torontos, Mynihut, etj.
Vetëm dy javë më parë, libri i Savianos, iu prezantua edhe publikut shqiptar, përmes shtëpisë botuese “Dudaj”. Kjo u shoqërua edhe me një intervistë, të autorit, realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga. “Gomorra” është një libër tronditës, mbi mafien, i treguar nga një njeri, i cili i ka prekur vetë të gjitha. Në libër flitet edhe për mafien shqiptare dhe “projektet” për zgjerimin e saj. Libri i Savianos është bërë burim polemikash në Itali. Ka opinione pro e kundër, megjithatë e vërteta është që libri po korr një sukses të madh dhe po kështu edhe filmi me të njëjtin titull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›