E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, Duro: Zgjidhja, çështje ditësh

 

Molgen Balena

“Viti i ri, normalisht po nis si viti i vjetër. Nuk ka asgjë të re, pasi është dita e parë e përgatitjeve”. Ata që prisnin se te Partizani mund të ndryshonte diçka që dje, duhet të presin ende. Gjithçka për 2009-n ka filluar me një mbledhje të stafit teknik, që ka dashur t’i japë mesazhin skuadrës se situata s’ka ndryshuar, por maksimumi në fillimin e javës së ardhshme gjërat mund të marrin për mirë. E natyrisht, përderisa kanë pasur forcën të durojnë deri tani, futbollistët e kuq kanë pranuar të rifillojë stërvitjen, megjithëse nuk dihet edhe përsa kohë. “Mund të them se gjatë ditëve të fundit kam pasur një kontakt me presidentin, i cili është me punë në Greqi dhe më ka garantuar se do t’i zgjidhë problemet shumë shpejt – ka shpjeguar tekniku Duro për mediat. Stërvitja, natyrisht duhet të vazhdojë, deri në një moment kur futbollistët kanë të drejtën e tyre të vendosin për të ardhmen”.
Garancitë
Duro është bërë thjesht një transmetues i fjalës së Xhanit, ndërkohë që nuk duket se dëshiron të shkojë më shumë se kaq: “Unë e kam thënë se do të vazhdoj punën, deri në një moment kur presidenti shpresoj të zgjidhë problemet financiare, pasi në këtë drejtim është ai më i rëndësishmi. Do të shikojmë situatën në vazhdim. Mund të them se zgjidhja e problemeve është punë ditësh”. Po a ka pasur ndonjë afat të vënë nga futbollistët, gjatë bisedës me teknikun? “Ata mund të flasin me ju – ka sqaruar Duro -, por me mua kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie profesionale. Gjatë takimit fola vetëm unë, duke i sqaruar situatën. Futbollistët janë pjesë teknike e skuadrës dhe sigurisht unë kam për të thënë fjalët më të mira për ata. Gjatë drejtimit tim prej tre muajsh kanë qenë korrektë në të gjithë aspektet, me gjithë problemet e hasura. Sidoqoftë, e theksoj se është periudhë merkatoje dhe secili futbollist ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e vet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›