Fati i Xhafës zgjidhet të shtunën
Do të jetë apo jo sulmuesi Daniel Xhafa pjesë e Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit, mbetet të saktësohet ditën e shtunë, kur nga klubi iranian të vijë një përgjigje zyrtare për të. Vlonjati ka qenë në provë te një klub i vendit islamik dhe sipas zërave të parë, ka lënë një shije të mirë. Megjithatë, burime pranë klubit bëjnë të ditur se të shtunën do të bëhet një zgjidhje përfundimtare e këtij problemi, pra ku do të mësohet nëse Xhafaj do të lihet i lirë për të kaluar në Iran, apo do të vazhdojë të luajë për Tiranën deri në qershor. Në të vërtetë, 31-vjeçari ka pasur disa oferta nga klube të huaja dhe kjo ka qenë në vazhdimësi, por për të mësuar “fatin” e tij pritet e shtuna, ku nga klubi iranian është premtuar të sillet një përgjigje. Gjasat deri tani janë të mira dhe Xhafaj mund të bëhet shqiptari i parë që luan në kampionatin iranian. Përflitet se oferta ndaj tij kap shifrën e 300 mijë dollarëve, një vlerë mjaft e lartë për kushtet e futbollit të këtij vendi. Nëse do të bëhet realitet, atëherë Tirana do ta lerë të lirë sulmuesin, që në pjesën e parë të sezonit ka shënuar katër gola.