E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentatori i Hrushovit: Si e tregonte Pandi Kristo krijimin e Partisë Komuniste

 

AFRIM IMAJ

Në krye të Partisë Komuniste Enver Hoxhën e katapultuan jugosllavët. E pagëzoi Miladin Popoviçi. Namik Zeneli, i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit, e ka dëgjuar këtë për herë të parë nga Pandi Kristo kur ishte në burgun e Burrelit. Në pak kohë aty ishte njohur me të vërteta të padëgjuara, me ngjarje e ndodhi befasuese. E papritura këtë herë, ishte shfaqur gjatë një bisede me ish-liderin e hershëm të lëvizjes komuniste. I dënuari nga Vajza për një moment nuk ka dashur ta besojë mënyrën si ka mbërritur në krye të partisë Enver Hoxha dhe e ka vlerësuar si një përçartje të bashkëvuajtësit. Krejt ndryshe ishin rrënjosur deri atëherë tek ai rrethanat e themelimit të partisë dhe emrat e atyre që e kishin ideuar atë. Misteri i zbuluar rastësisht nga njëri prej të moshuarve të burgut famëkeq, hidhte dyshime të forta mbi atë çfarë dinte për ngjarjen historike dhe rrëzonte kryekëput kontributin e veçantë të Enver Hoxhës në të. Rrëfimi i Pandi Kristos, njërit prej figurave të dëgjuara të fillimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, hidhte dritë mbi një fakt kokëfortë ndaj të cilit ishin privuar të gjithë ata që ishin jashtë mureve të burgut. Sidoqoftë, i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit, si më i riu ndër të tjerët, duhej t’u vinte veshin me kujdes për t’i fiksuar në memorie të rejat e padëgjuara më parë rreth ngjarjeve e personazheve, që flitej se përbënin palcën e historisë së kombit. “Ka qenë krejt spontane kjo rrëfenjë e Pandi Kristos, kujton Namik Sinani. U bë shkak një njoftim i Komitetit Qendror për dhunën e titistëve ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ai nuk arriti të përmbahej. Teksa e dëgjonim në altoparlantin e burgut, shpërtheu rrëmbyeshëm: “Hipokrizi me bisht. Kosovën e ka shitur vet Enveri që në ‘41-shin”. Pastaj Pandi Kristo na mblodhi në një kthinë dhe filloi të na tregojë për rrënjët e kësaj hipokrizie, të cilën ai e quante tradhti të pastër...
Rrëfimi i Pandi Kristos
“Disa muaj para themelimit të partisë u shfaq në Tiranë Miladin Popoviçi. Mori kontakte me krerët e grupeve komuniste. Kontradiktat midis tyre në atë kohë kishin arritur kulmin. Më të theksuara ishin ato midis grupit të Korçës dhe atij të Shkodrës. Krijimi i Partisë pritej për t’u ngritur mbi njehsimin e grupeve rivale. Kur shfaqej i pamundur bashkimi i tyre, i dërguari i Titos gjeti çelësin magjik dhe hodhi në tavolinë skenarin e tij, që siç doli më vonë, ishte gatuar në Beograd. U vu në krye të tavolinës dhe parashtroi dokumentin politik. Konstrukti i tij përmbante katër kushte, për të cilat Miladini qëndronte i prerë. Kushti i parë: Në krye të partisë duhej të caktonim një mysliman, me argumentin se mbi 70 për qind e popullsisë ishin të këtij besimi. Kushti i dytë: Kryetari nuk do të dilte as nga grupi i Korçës dhe as nga ai i Shkodrës, me arsyen se kishin konsumuar konflikte me njëri-tjetrin. Kushti i tretë: Ai që do zgjidhej në krye të partisë duhej të ishte i pashëm, mundësisht komunisti më i bukur ndër të tjerët. Kushti i katërt: Numri “Një” i partisë do të ishte ai që do të firmoste proklamatën, që kishte sjellë misionari i Titos. Në këtë të fundit parashikohej garancia e lidershipit shqiptar për ta vlerësuar të mirëqenë Kosovën si pjesë integrale të territorit të Jugosllavisë. Në bisedë e sipër Enver Hoxha u afrua e firmosi dokumentin, që kishte sjellë mysafiri. Fare shkurt: Miladini me Enverin zgjodhën Enverin në krye të Partisë. Ashtu si rrodhën gjërat nuk kishte si të dilte një kryetar tjetër. Enveri, mysliman po(!) I bukur, nuk kishe çfarë t’i thoshe! Egoist në ekstrem, për ofiqet nuk pyeste çfarë firmoste. E keqja që këtej do pillte vetveten. Kosova do mbetej nën Serbi. Enveri në marrëzinë e pafund për të fshehur të vërtetën, kërkonte armiq aty ku nuk ishin. Pas ndarjes me Titon, hapi fushatën e luftës kundër agjentëve të Beogradit. Dhe o burra, shpata e Partisë mbi armiq e tradhtarë. Ne dëshmitarët e takimit misterioz me Popoviçin, u bëmë viktimat e para të tij. Se duhej të harronim atë që kishim parë. Nuk duhej të tregonim pagëzuesin e kryetarit të komunistëve tanë. Historia do vazhdojë kështu, për aq kohë sa do të jetë gjallë ai që mban peng të vërtetën...”
Miku i Avni Rustemit
“Shqipërinë mund ta bëjnë shqiptarët e bashkuar”. Me mesazhin e Avni Rustemit të burgosurit e Burrelit riktheheshin herë pas herë në debatin për fatet e kombit. Ndërhyrja e Tahir Hoxhës, të dënuarit nga Vlora risillte në bisedë histori e bëma nacionalistësh të dëgjuara nga njeriu, që kishte qëlluar mbi Esat Pashën. Me Avni Rustemin kishte kaluar vitet e shkollës në Itali dhe si mik i afërt kishte mësuar shumë gjëra prej tij. Kur bënte sekretarin e Hysni Lepenicës kishte sistemuar kujtimet nga ditët me të, po vrulli i zhvillimeve të mëtejshme nuk e kishte lejuar për t’i botuar. Namik Zeneli që e veçon Tahir Hoxhën ndër shokët e dikurshëm të burgut, thotë se ishte intelektual i mençur, burrë i shtruar, vjershëtor e njeri i lapsit. “Tërë kohës shkruante e mbante shënime dhe i rregullonte me merak”, shton ai dhe kujton dhjetëra vargje, të cilat i reciton rrjedhshëm edhe pas kaq vitesh. Namik Zenelit ia besonte jo vetëm për t’i lexuar, por edhe për t’i ruajtur. I ka mbetur peng të kryqëzuarit për atentatin ndaj Hrushovit, që nuk mundi t’ia nxjerrë nga burgu dorëshkrimet mikut, me të cilin ndau të njëjtën qeli. “Më thoshte të ruhesha, shprehet ai, se si më i riu që isha do ta takoja ndonjëherë ditën e bardhë të demokracisë”.
“Rozafa” e martirëve
Ka ndodhur me të burgosurit politik në Shqipëri diçka e tillë si ajo e legjendës së Rozafës. Murim për të ngritur mure! Madje, mure për qindra kala! Me këtë përqasje Namik Zeneli, të fton për t’i vënë veshin rrëfimit për shtegtimin e tij në kalvarin e viteve të burgut. “E nisa nga qelitë e Burrelit, pastaj në Fushë-Krujë në kantierin e fabrikës së çimentos, në Elbasan po për një fabrikë çimentoje, në Ballsh për uzinën e përpunimit të Naftës, në...”. Ka qenë vetëm 20 vjeç kur ka marrë këtë rrugë për t’u rikthyer tek strehëza e tij në Vajzë pas 30 vitesh. Për 30 vjet do shkëmbente mbi 30 kantiere. Të gjitha në shpagim të një krimi, që nuk kishte guxuar as ta mendonte, pale ta kryente. Gjithsesi, rropatja sfilitëse do ta njihte me një botë tjetër, me të tjerë njerëz që do të treteshin në punën skllavëruese. Një armatë e tërë sipas Namik Zenelit, për muaj e vite me radhë ka ngritur arsenalin e industrive shqiptare në kushte tejet të vështira. “Ishin ato që Enveri me krenari i quante “veprat e Partisë”, shton i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit. Sakaq rendit një numër të madh veprash të ngritura me sakrificën dhe gjakun e të dënuarve politikë. Për të Këneta e Maliqit, ajo e Nartës, kanali i Bedenit, i Levanit, Fabrika e Çimentos në Vlorë, aeroporti i Kuçovës, ai i Rinasit, uzina e bakrit në Rubik, kombinati “Stalin”, Sanatoriumi i Tiranës, uzina e naftës Ballsh, qindra e mijëra pallate banimi, miniera e Bulqizës, e Spaçit, Qafës së Barit, Batrës etj., janë vetëm një pjesë e korpusit të veprave që ngritën bashkëvuajtësit e tij. “Është kalaja e madhe e Rozafës me muret e ngritura mbi eshtrat dhe gjakun e martirëve”, përmbyll Namik Zeneli qasjen e tij për kontributin e mbetur anonim të armatës së të përndjekurve politikë.
“I pabinduri” Spartak Ngjela
Komunizmi i përdori të dënuarit politikë si skllevër pune! Në optikën e Namik Zenelit për mënyrën e trajtimit të tyre, ka një vështrim disi ndryshe. Ai e vlerëson perceptim të cunguar imazhin e krijuar nga politika për ta, ku fund e krye bateritë artikulojnë aspektin e torturave dhe represionit të Sigurimit të Shtetit, duke neglizhuar punën skllavëruese dhe kushtet çnjerëzore, me të cilat u është dashur të përballen për vite e dekada me radhë. Madje, këtë gjykim kritik i dënuari Zeneli e adreson edhe për bashkëvuajtësit e vet, të cilët kanë harruar për të vënë në vëmendje të opinionit morinë e veprave industriale, që kanë bërë me mundim dhe sakrifica të jashtëzakonshme. Bëhet shkak ky shtjellim që Namik Zeneli të kujtojë një përjashtim, për të cilin ka qenë i papërsëritshëm. “Kur sfiliteshim nëpër kantiere, ishte njëri, vetëm njëri ndër ne, që nuk ia bëri një herë “shkrëp”. Sakaq i dënuari nga Vajza i përmend emrin dhe me shpoti kujton “ofiqin”, që i kanë ngjitur në kampin e Ballshit. “I pabinduri” Spartak Ngjela, rrëfen Namiku, refuzoi çdo urdhër të gardianëve për të dalë në punë. Më keni dënuar për politikë, më trajtoni si të tillë, reagonte rebelueshëm. Nuk i kam borxh askujt t’ia kthej me punë. Ne në punë, ai në birucë! Në birucë e mbylli Taku deri në fund...”. Për Namik Zenelin, Spartak Ngjela është i dënuari që shpërfilli denjësisht e dhëmbë për dhëmbë presekutorët përbindësha të burgjeve komuniste. Nëse ka një vërejte për të, siç thotë, kjo ka lidhje me dëshirën e tij për ta parë më këmbëngulës e të prerë në politikë.
“Radio Burgu” me veprat e Enverit
“Ne viktimat e Enverit, duhej të dëgjonim e të shkolloheshim me mësimet e tij. Dhjetë dymbëdhjetë orë në ditë duhej t’i kalonim me to”. Namik Zeneli mban mënd “Radio Burgun” që fillonte në orën pesë të mëngjesit me fjalimet e veprave të diktatorit dhe mbyllej afër mesnatës. “Në çdo birucë e qeli kishte një altoparlant, që punonte “non stop” me broçkullat e Enverit dhe ato të “Zërit të Popullit”, kujton i dënuari nga Vajza e Vlorës. Një mani e marrë kjo e komisarëve të burgut për riedukimin e “tradhtarëve”, “armiqve të betuar të   partisë”, “sabotatorëve”, “devijatorëve” etj., etj. “Kinezëri koti”, përmend ai vlerësimin e njërit prej të dënuarve të Burrelit. Namik Zeneli thotë se veç altoparlantit ishte një qendër që transmetonte programe të veçanta me vargje e materiale që i thurnin himne Partisë, Enverit, diktaturës së proletariatit. Ai mban mënd zërin e bashkëvuajtësit Mihallaq Luarasi, i cili robtohej për orë të tëra para mikrofonit për të recituar “Shqiponjat fluturojnë lart”. “I gjori Mihallaq, rrëfen ai, e fillonte pa gdhirë “Ku të t’i kërkoj rrënjët e tua Parti” dhe e përsëriste 10-15 herë deri në mbrëmje poemën e Kadaresë. E mori në qafë profesioni e u drobit i tëri.”...

Muzeu i Namik Zenelit dhe jeta muze e burrit nga Vajza

Namik Zeneli jeton në një shtëpi përdhese, diku në periferi të fshatit Vajzë. Ka vite që ka fituar lirinë, po nuk i ka shpëtuar deri në fund fatit të keq. Me lodhje sfilitëse dhe mundime të shumta harrin të sigurojë kërkesat minimale të jetesës. Më saktë të mbijetesës. Se duhet t’i përgjigjet një sfide të dyfishtë: Të bëjë amvisën e shtëpisë për të kompensuar të shoqen e sëmurë prej vitesh dhe të rropatet çdo ditë me traktor për të siguruar bukën e gojës. Po e keqja për Namik Zenelin nuk mbaron me kaq. Gjithë kësaj rutine të përditshme, duhet t’i bëjë ballë me njërën dorë, se tjetrën e ka tërësisht të paralizuar. Gjithsesi, burri nga Vajza, ka ditur të bëjë një jetë dinjitoze e të mbetet i respektuar mes të njohurve. Ndër të tjera me mënyrën se si shpërfill të sotmen rraskapitëse dhe përkujdesjen e veçantë për koleksionimin e të djeshmes së dhimbshme. Ish i burgosuri për atentatin ndaj Hrushovit, në strehën mbi truallin e të parëve, ka destinuar një dhomë për të dokumentuar jetën e vet gjatë diktaturës. Gjithçka në të e ka punuar me merak kur vuante dënimin në burgun e Burrelit. E solli prej aty kur fitoi lirinë dhe filloi ta përshtatë në formën e një muzeu personal. Gdhendi me mjeshtëri stendat prej druri dhe vendosi në to portretet e prindërve, atë të motrës, të vëllezërve, të shokëve e miqve, të cilat i pikturoi gjatë netëve në qelitë e errëta. Pastaj mori shkopin e ciceronit dhe filloi t’u rrëfejë mysafirëve: Ky është babai kur ka qenë partizan, kjo nëna, ky vëllai i madh, motra që ka vdekur... 
 

Birucat e Burrelit
Namik Zeneli mendon se ekranit shqiptar i mungon një film për birucat e Burrelit. Kishte 26 të tilla, rrëfen ai teksa kujton pamjen e   tyre. Secila gati tre metra katrorë, vetëm me një dritare pa xham.   Ç’binte jashtë, binte brenda. Në dimër i ftohti arrinte minus 17 gradë. Brenda vetëm me një batanije. Ajo vetëm për natën. Në verë, vapa si saç. Ushqimi, mizerje. 500 gramë bukë në 24 orë. Një lugë supë. 6 gramë vaj e 50 gramë makarona. Higjiena as që bëhej fjalë. Muaj të tërë pa u larë e pa banjë. Prej aty, vazhdon “atentatori” i Hrushovit, takimi me familjarët ishte rezervuar një herë në muaj. Vetëm pesë minuta në praninë e gardianit. Kjo, sipas tij, i detyronte të dënuarit të shpreheshin shpejt e shpejt për të sqaruar në pak kohë të gjitha mesazhet e tyre. “Familjarët që nuk na i kuptonin hallin, përmbyll Zeneli, u dukeshim si robotë gjatë komunikimit”

Njeriu i mirë i ditëve të vështira

Njeriu i mirë nuk mungoi as në ditët e errëta. Konstatimi i Namik Zenelit merr shkas nga përjetimet e viteve të diktaturës. Kur mbante statusin e “armikut të klasës” dhe shihej si “delja e zezë”, nuk u braktis nga të gjithë. Njerëz të veçantë e ndihmuan bujarisht dhe i ofruan ngrohtësi. Ndër ta edhe komunistë të thjeshtë. “Po, po, shprehet ai, falë kësaj përkujdesje munda të ringrihem e të bëj vend në shoqëri”. Kur flet për ta, i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit, veçon kryetarin e këshillit të fshatit. “I shkova Fredi Hitës në zyrë. I kërkova bursë për mbesën. Atë vit kishte mbaruar shkëlqyeshëm. E mbante gozhduar biografia ime. I fola si burri burrit. Me zemër në dorë. I thashë se hija ime nuk duhej ta digjte. Më dëgjoi dhe aty për aty garantoi se do bënte të pamundurën. E tha dhe e bëri. Me firmën e tij iku mbesa në Universitet. Aty shkëlqeu. Doli madje edhe jashtë në kualifikim. Tani është profesoreshë në Universitet në Itali. Është merita e saj patjetër, por pa bekimin e Fredit do të ishte në Vajzë thjesht një shtëpiake...”

I burgosuri i Burrelit, Enverit: Na fal për Hrushovin

Divorci me Moskën në dimrin e ‘60-ës i zuri në befasi të burgosurit e Burrelit. E papritura kishe ndodhur pa u shuar jehona e vizitës së Hrushovit në vendin tonë. Krisja e madhe kishte pushtuar kreun e lajmeve të Tiranës dhe ishte ngjitur deri tek qelitë e tyre. Enver Hoxha kishte vendosur prerazi. Ai nuk e njihte kthimin mbrapsht. Kjo ishte e padiskutueshme për ta. Çfarë do të ndodhte më tej? Horoskopi i zhvillimeve të pritshme parashikonte situata të paqarta. Dilema shfaqej me shumë të panjohura. Mjaft syresh shquanin ogurin e keq tek aventura e radhës, që do pasonte me pështjellime negative e gati vrastare. Një pjesë shpresonte për ndryshimin e kursit, për një kthim të mundshëm nga Perëndimi. Nga aq sa lexohej në fillimet e veta divorci me Moskën, i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit, vërtitej sa nga njëri variant tek tjetri. Ishte shansi për të fituar lirinë tani që kreu i Kremlinit ishte shpallur tradhtar! “E çova një moment në mëndje, po kush ta falte”, kujton Namik Zeneli që gjithsesi e ka përjetuar me një rreze shprese divorcin me Moskën e Hrushovit. Kur mundohej të kapte rrjedhën e zhvillimeve të pritshme është befasuar nga reagimi i njërit prej më të moshuarve të burgut, i cili aty për aty u ul dhe i bëri një letër autokritike Enver Hoxhës...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›