E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët: Shpallni me shpejtësi rezultatet paraprake

Situata politike pas zgjedhjeve administrative të 8 majit ka detyruar sërish ambasadorët e akredituar në Tiranë të zhvillojnë negociata intensive me aktorët politikë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, lëshuan një deklaratë të përbashkët për median. “Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj. Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve. Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi”, thuhet në deklaratën e tre ambasadorëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe OSBE-ja insistojnë po ashtu se është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. “Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, nënvizohet në deklaratë. Pak minuta pas bërjes publike të këtij qëndrimi, ambasadorët mbërritën në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, me të cilin zhvilluan një takim 45- minutësh. Në bashkëbisedim, diplomatët e huaj ja bënë të ditur Kryeministrit qëndrimin e shprehur edhe përmes deklaratës zyrtare. Pasi përfunduan bisedën me kreun e mazhorancës, të njëjtët ambasadorë ju drejtuan selisë së Partisë Socialiste, ku bashkëbiseduan me kreun e opozitës Edi Rama. Takimi mes tyre zgjati për rreth 90 minuta, ndërsa në përfundim u pa kreu socialist Rama duke dalë në oborr me ambasadorët. Zyrtarisht, Partia Socialiste nuk lëshoi asnjë deklaratë në lidhje me atë çfarë është deklaruar në këtë takim mes ambasadorëve dhe kreut socialist. Kjo është dita e dytë në të cilën ambasadorët zhvillojnë negociata për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Dy ditë më parë, ata ishin në zyrën e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ku përveç tij takuan edhe zëvendëskryetaren Dëshira Subashi. Gjatë gjithë ditëve të procesit të numërimit të votave për kreun e Bashkisë së Tiranës, ambasadorët perëndimorë të akredituar në Tiranë kanë qenë aktiv në vëzhgimin nga afër të zhvillimeve. Në momentin kur në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor nr.49 u bllokua numërimi, për shkak të debatit mbi fletët e votimit të cilësuara si të pavlefshme, ambasadorët ndërhynë duke negociuar mes palëve. Që prej atij momenti, çdo orë kur numëroheshin vota kishte prezencë të ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Kryediplomati amerikan Aleksander Arvizu, ambasadori i BE-së Ettore Sequi dhe kreu i misionit të OSBE-së, Eugen Wollfarth, ndoqën direkt edhe numërimin e kutisë së fundit për votat e hedhura për kryebashkiakun e Tiranës. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›