PS: Revoltë popullore, nëse KQZ ndryshon rezultatin
TIRANË- Shtyrja e rezultatit zyrtar nga ana e KQZ-së për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për kreun e opozitës, përkthehet si përpjekje për përmbysjen e rezultatit. Në një dalje të posaçme për mediat, pas takimit të zhvilluar me ambasadorët, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se fitorja është e qartë në favor të tij. “...S’kemi pasur kurrë ndonjë iluzion se kjo KQZ mund të sillet ndonjëherë normalisht me të drejtat ligjore të opozitës. Por kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundmë të durimit të popullit që votoi rezultatin e njohur botërisht”, - tha Rama. Për pasojë, ai shtoi se po tentohet të përmbyset rezultati. “Po tentohet të përmbyset rezultati i zgjedhjeve në Tiranë, me një vendim kryekëput të paligjshëm, një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit. Apeli im për Saliun është të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore, që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend. Shqipëria sot ka nevojë për ekuilibër, qetësi, siguri në rrugën e saj dhe shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizion për të ardhmen e tyre”, - tha Rama.Rama paralajmëroi se opozita pret me durim. “I siguroj qytetarët se s’ka forcë që vjedh forcërisht rezultatin tonë fitues në Tiranë”, - shtoi ai. Ndërkohë, mbrëmë selia rozë ka ashpërsuar tonet, pas daljes publike të kandidatit të mazhorancës, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar numërimin e cdo vote për kryetar e hedhur në kutinë e gabuar. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, paralajmëroi revoltë popullore. Ajo i bëri thirrje KQZ-së që të nxjerrë rezultatin e Tiranës si shumë aritmetike e 11 tabelave përmbledhëse të rezultateve, për çdo njësi bashkiake në kryeqytet. “Çdo gjë tjetër, çdo rrugë tjetër, çdo rezultat tjetër, është një dhunim i patolerueshëm, të cilit populli do detyrohet t’i përgjigjet me të gjithë fuqinë e vet. Të gjithë qytetarët janë të lutur të ndjekin nga afër skenën e përgatitur për një krim të pashembullt elektoral në KQZ dhe në rast se krimi ndodh, gjë që kurrë nuk e urojmë, janë të thirrur në rrugën e revoltës popullore, për të vënë në vend rendin kushtetues, ligjin, lirinë e të drejtën e votës”, - tha ajo.