Ambasadorët, apel për ruajtjen e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese
Eljona Ballhysa
Faktori ndërkombëtar në Tiranë ka shprehur shqetësimin për mundësinë e “kapjes” nga Ekzekutivi të Gjykatës Kushtetuese. Ambasadori amerikan, John Withers, ambasadorja e Britanisë, Fiona McIlëham, si dhe ambasadori i OSBE-së, Bosh, kanë bërë dje apel që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen vetëm duke iu përmbajtur Kushtetutës, duke theksuar se shpresojnë për një proces të suksesshëm. Kjo deklaratë e ambasadorëve vjen në kushtet e bojkotit të Kuvendit nga opozita dhe të hapësirave që ka maxhoranca për t’i imponuar Presidentit emrat e anëtarëve që mbështesin PD-në.
Deklaratat e ambasadorëve u bënë dje gjatë një tryeze diskutimi me pjesëmarrjen e shoqërisë civile për emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese.
Qëndrimi
Gjatë fjalës së tij, ambasadori amerikan John Withers deklaroi se emërimet e reja në këtë institucion duhet të bëhen me pavarësinë e një shteti demokratik dhe institucionet duhet të përballen me Kushtetutën e vendit. Ai kërkoi që zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutës të realizohet vetëm duke iu përmbajtur Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. “Zgjedhjet janë pjesë e rëndësishme e një demokracie, ato duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me institucionet e mirëqeverisjes, institucionet demokratike, si dhe pavarësisë së një shteti demokratik. Në funksionimin e tyre institucionet duhet të përballen me Kushtetutën dhe kësisoj edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës duhet të bëhet sipas ligjit themeltar të shtetit. Vetëm kështu mund të sigurohet pavarësia e një prej gjykatave më me peshë në demokracinë e një vendi”, - është shprehur Withers.
Kreu i OSBE-së, Bosh, i ulur në tryezë pak minuta pas takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, nënvizoi se parandalimi i politizimit të institucioneve është kyçi i pavarësisë në Shqipëri. “E rëndësishme për funksionimin e demokracisë në Shqipëri është që të parandalohet politizimi i çdo institucioni në vend, në mënyrë të veçantë për institucionet e sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese”, - është shprehur Bosh.
Edhe ambasadorja britanike i qëndroi së njëjtës linjë, duke theksuar se zgjedhja e anëtarëve duhet bërë sipas Kushtetutës. Ajo theksoi, ndër të tjera, se Gjykata Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë, ndaj uron të shohë një proces të suksesshëm. “Një gjyqësor i pavarur është një nga gurët themelorë të një vendi demokratik dhe një kriter i Bashkimit Europian. Gjykata Kushtetuese ka një rol qendror. Është jetike që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të tërheqë kandidatët më cilësorë dhe të forcojë më tej integritetin dhe profesionalizmin e Gjykatës”, - është shprehur ambasadorja britanike në Shqipëri. Më tej, duke iu referuar situatës politike në vend, ambasadorja është shprehur se mirëpret edhe përpjekjet e presidentit Topi për t’i dhënë fund krizës politike aktuale dhe vullnetin e drejtuesve të partive për të marrë pjesë në tryezën e bisedimeve të shtunën. “Qeveria britanike është e angazhuar të punojë me udhëheqësit politikë për të mbështetur demokracinë dhe reformat në Shqipëri. Zgjidhja e ngërçit politik duhet të jetë prioritet imediat”, - është shprehur ambasadorja. Ndërkombëtarët prej muajsh kanë bërë thirrje për reformën në Drejtësi, ligjet për të cilën kërkojnë votat e opozitës në Parlament, por tanimë ata kërkojnë përqendrim dhe vullnet edhe për përbërjen e re të gjykatave më të rëndësishme në vend. Qëndrimet e të huajve vijnë vetëm pak ditë përpara përfundimeve të afatit për propozimin e kandidaturave pranë presidentit Topi për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese si dhe 2 vendet në Gjykatën e Lartë.
12 Shkurt 2010