E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: “Partia Socialiste nuk do të lejojë uzurpimin e SHISH-it nga qeveria”

Partia Socialiste ka deklaruar vendosmërinë e saj për të ndaluar çdo përpjekje të kryeministrit Sali Berisha për të uzurpuar institucionin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Deputeti Eduard Shalsi bëri të ditur dje se nëse kryeministri Berisha nuk tërhiqet publikisht nga kjo iniciativë, atëherë SHISH-i do të jetë një tjetër kusht për kthimin e opozitës në Parlament. Sipas Shalsit, amendamentet e reja të propozuara në ligj nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me përmirësimin dhe fuqizimin e rolit të SHISH-it, përkundrazi, e çorientojnë dhe e hallakasin plotësisht atë, duke e larguar nga objektivat kushtetuese dhe duke e afruar me objektivat personale të Sali Berishës.
Deklarata
Deputeti Shalsi deklaron se kryeministri Berisha për herë të dytë po kërkon të uzurpojë SHISH-in. “Disa ditë më parë PS-ja denoncoi publikisht projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror duke e konsideruar si përpjekja e radhës së Sali Berishës për të shtënë në dorë këtë shërbim, për interesa të pastra personale dhe politike. Rikujtojmë se kjo është përpjekja e dytë, qysh se Berisha erdhi në pushtet, pas tentativës së parë të dështuar për ta pasur Shërbimin Informativ nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar “gjatë kohës kur Sali Berisha ishte president i vendit, kemi qenë dëshmitarë të degradimit që pësoi ky institucion dhe të deformimit të plotë të rolit të tij. Të gjithë e kujtojnë SHIK-un famëkeq që përdorej tinëzisht për të ndjekur dhe survejuar opozitën. Sipas deputetit Shalsi, legjislacioni i qeverisë është për interesin e saj privat dhe aspak për të mirën dhe interesin publik. “Përditë e më tepër po kuptojmë se si brendësia e ligjeve që po na servir Sali Berisha po tregon edhe njëherë fytyrën e vërtetë të tij dhe të qeverisë së tij, që po prodhojnë legjislacion duke u kujdesur vetëm për interesat e tyre private dhe aspak për të mirën dhe interesin publik, duke cenuar në këtë mënyrë rëndë kolonat mbi të cilat ngrihet një shtet demokratik”, - tha Shalsi.
Reagimet
Ndryshimet në draftin për Shërbimin Informativ të Shtetit është shoqëruar me reagime. Përfaqësuesi i Komisionit Europian në vendin tonë, Helmut Lohan, është shprehur në një prononcim për mediat se vendi duhet të realizojë reformat duke respektuar standardet. “Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Europian merr në analizë edhe çështje të tilla si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij”, - ka deklaruar përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë. Edhe burime të gazetës “Albania” bëjnë të ditur se drafti i përgatitur nga qeveria, i cili pritet të kalojë për miratim në Kuvend, është futur në filtrin e ekspertëve të Misionit Europian për Asistencën Ligjore, EURALIUS. Ndonëse nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë nismë ligjore, specialistët po shqyrtojnë në detaj pikat e projektligjit. Në të njëjtën linjë me Delegacionin e Komisionit Europian është edhe përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë. Në një prononcim për Top Channel ditë më parë, zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara bëri këtë koment: “Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euroatlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleate e NATO-s”. Drafti i propozuar nga qeveria synon që t’i japë Shërbimit Informativ Shtetëror detyra të tjera përtej misionit të informimit. Po ashtu, projektligji komplikon raportet e tij me institucionet e tjera. Një tjetër pikë është edhe mënyra e bashkëpunimit të këtij shërbimi me shërbimet homologe, e cila, sipas draftit, realizohet përmes miratimit paraprak të kryeministrit.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›