E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo, Gjinushi: S'ka zgjidhje, vendi drejt zgjedhjeve

Aleatët e Partisë Socialiste e shohin të vështirë zgjidhjen e krizës politike nga tryeza e presidentit Bamir Topi, kur të dyja palët mbajnë ende qëndrime ekstremisht të kundërta. Socialistet këmbëngulin për hapje të kutive, e vetmja kërkesë që nuk pranohet nga maxhoranca. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skendër Gjinushi dhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, pohojnë për TV Vizion Plus, se negociatat do të jenë të gjata e, për pasojë, në fund nuk do të ketë zgjedhje politike që do t’i imponojnë palët drejt zgjedhjeve të parakohshme. Milo zbardh dhe një nga variantet, sipas të cilit, ndërkombëtarët do të ofrojnë për qeverinë “Berisha” liberalizimin e vizave, për ta joshur kryeministrin që të pranojë zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa për Gjinushin, kryeministri Berisha nuk ka variant tjetër, vetëm të pranojë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Por, sipas Gjinushit, pikërisht aty fillon kriza e vërtetë.
Pas kthimit nga Strasburgu, kryetari i Partisë Socialiste do të ketë konsultime dhe me frontin opozitar, të premten, pra një ditë përpara tryezës së presidentit Bamir Topi.

KQZ-ja refuzon kërkesën e G99-s për kopjet e fletëve të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar kërkesën e paraqitur para pak kohësh nga Partia G99 në funksion të zbardhjes së të vërtetës së votimeve të 28 qershorit nëpërmjet kopjeve të fletëve të votimit. Kërkesën e kreut të G99-s, Erion Veliaj, KQZ-ja e ka cilësuar absurde, ndërsa nga ana tjetër, Veliaj e ka cilësuar vendimin e saj alogjik. Përmes një letre, G99-a i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit, dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të Nr. 1, 2, 3 dhe 4 në qarkun e Beratit, në ZAZ-të Nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në qarkun e Tiranës. Veliaj e bazonte kërkesën në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, i cili, siç është shprehur kreu i G99-s, u jepte të drejtën të kishin akses në çdo “dokument zyrtar”, pra në dokumente të çdo lloji të mbajtura nga autoriteti publik, në përputhje me rregullat në fuqi dhe që ka lidhje me ushtrimin e një funksioni publik. Sipas tij, fletët e votimit dhe materiali zgjedhor qartazi bën pjesë në këtë përkufizim ligjor të “dokumentit zyrtar”.

Komisioni i ligjeve diskuton sot për draftin e Shërbimit Informativ të Shtetit

Komisioni Parlamentar i Ligjeve pritet të mblidhet sot për të diskutuar mbi ndryshimet e projektligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit. Në këtë seancë do të marrin pjesë përfaqësues të SHISH-it, të cilët do të japin propozimet e tyre mbi ndryshimet e këtij drafti. Në mbledhjen e kaluar Komisioni Parlamentar i Ligjeve anuloi seancën informuese të kërkuar nga deputetët e maxhorancës, që synonte të njihej me qëndrimin që drejtori aktual i shërbimeve inteligjente ka në lidhje me projektligjin që qeveria ka përgatitur për SHISH-in. Sipas burimeve, anulimi i saj mësohet se është bërë për shkak të presionit në rritje që faktori ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur ndaj amendamenteve të qeverisë.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›