E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon zëvendësministren e Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë. Zhvillimet në Kosovë e rajon, ecuria e procesit të njohjes së Kosovës, ndihma dhe mbështetja për konsolidimin e institucioneve të saj, proceset integruese europiane e euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe ishin temat kryesore që u trajtuan në takim.
Lidhur me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Meta i rikonfirmoi përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të qeverisë dhe Diplomacisë shqiptare për avancimin e mëtejshëm të procesit të njohjes së Kosovës. Përsa u përket zhvillimeve më të fundit në Kosovë, zoti Meta theksoi se Shqipëria përshëndet dhe mbështet deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, pas takimit në Vjenë më 8 shkurt 2010, dhe e konsideron atë një mbështetje të fuqishme për perspektivën europiane të saj si dhe, një rikonfirmim të përkushtimit për respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, kusht vendimtar për stabilitetin rajonal e më gjerë.
Shqipëria bashkohet me vlerësimin se Republika e Kosovës, shteti më i ri i kontinentit europian, që më 17 shkurt 2010 shënon përvjetorin e dytë, gjithashtu, ka bërë progres të madh në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. Kosova, e pavarur tashmë, është njohur dhe ka fituar respektin e merituar nga 65 shtete dhe vende të tjera po shqyrtojnë dhe konsiderojnë njohjen e saj.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›