Malaj: “Tryeza, dy liderët të heqin dorë nga kushtëzimet paraprake të panegociueshme”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, dje ka bërë publikisht një sqarim lidhur me pasaktësitë e në referimin e deklaratave të tij mediatike. Malaj deklaroi se Presidenti i Republikës përfaqëson një institucion politik me kredibilitet të padiskutueshëm për t'i dhënë një rrugëzgjidhje institucionale kësaj krize. “Tryeza mes palëve e organizuar prej tij këtë fundjavë nuk mund të jetë kurrsesi e padobishme, përkundrazi, në vlerësimin tim ajo do të shërbejë si një katalizator i rëndësishëm i zhvillimeve politike pozitive në vend, sidomos në funksion të rivendosjes së dialogut politik dhe të hyrjes
së PS-së në Kuvend”, - është shprehur Malaj. Ai theksoi se zgjidhja e krizës politike të momentit është një domosdoshmëri për situatën e vendit në aspektin integrues, ekonomik dhe atë social. Malaj bëri thirrje që partitë politike dhe sidomos liderët e tyre, duhet të heqin dorë menjëherë nga kushtëzimet paraprake të panegociueshme dhe qëndrimet radikale që nuk i shërbejnë as mbarëvajtjes së tryezës politike, as dhënies fund të kësaj krize tejet të dëmshme për vendin dhe aspiratat europiane të qytetarëve.
Berisha-Skajola, bashkëpunim për centralin bërthamor
Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin italian të Ekonomisë, Klaudio Skajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dyja vendeve, të sapokrijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë. Ministri italian i Ekonomisë, Skajola, ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në ngritjen e centraleve bërthamore që prodhojnë energji të rinovueshme. “Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri –Itali”, - tha ai. Kryeministri Berisha ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë ministrit Skajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.
12 Shkurt 2010