E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani sugjeron ndryshime kushtetuese për forcimin e kompetencave të Presidentit

Ish-presidenti kërkon rritjen e kompetencave të kreut të shtetit
Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, ka deklaruar dje nevojën për të bërë ndryshime në Kushtetutë në mënyrë që të forcohen kompetencat e Presidentit. Në një tryezë të mbajtur dje me pjesëmarrjen e ekspertëve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë, ku është diskutuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ish-presidenti Meidani ka hedhur idenë e forcimit të rolit të Presidentit. Sipas tij, duhet të ndërhyhet në Kushtetutë në mënyrë që kryeministri të mos ketë mundësi të rrëzojë dekretet e Presidentit. Në këtë tryezë palët kanë hedhur ide për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rëndësinë që pavarësia e këtij institucioni dhe mosndikimi nga politika.
Sugjerimet
Deklarata e ish-presidentit vjen pas precedentit të krijuar disa muaj më parë kur maxhoranca demokratike bllokoi në Kuvend dekretet e Presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo ndodhi vetëm për faktin se presidenti nuk mori më parë pëlqimin e Kuvendit, ose thënë ndryshe, pëlqimin e kryeministrit Berisha. Gjithashtu, kjo deklaratë lidhet edhe me ndryshimet që pësoi Kushtetuta rreth një vit më parë ku u sfumuan kompetencat e Presidentit, ndërsa u rritën ato të kryeministrit. Në këto kushte, ish-presidentët flasim me shqetësim për mundësinë e politizimit të institucioneve duke përfshirë këtu edhe institucionin e Gjykatës Kushtetuese, ku priten emërimet e 6 anëtarëve të rinj që në bazë të Kushtetutës, do të emërohen nga presidenti Topi. Në këtë takim, Mediani theksoi se zgjedhja e anëtarëve në Kushtetuese duhet të jetë një proces i hapur dhe duhet të ketë angazhim jo vetëm nga presidenti, por edhe nga shoqëria civile.
Ndërsa ish-presidenti Moisiu shprehu shqetësim për emërimet në Gjykatë, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve si thelbësor. “Duhet të shihet mundësia që mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të mos përfundojnë në atë mënyrë që ketë ndryshime kolektive. Kjo duhet të bëhet që në atë mënyrë që të mbyllen mundësitë për kontroll politik, pasi në të kaluarën kemi krijuar precedentë jopozitivë”, - është shprehur ish-presidenti Moisiu.
Zëvendësimet
Për shkak të mbarimit të mandatit, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zëvendësohen me emra të rinj brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Brenda 2010-s përfundojnë mandatin anëtarët Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Gjykata Kushtetuese është një ndër institucionet që gjatë katër viteve të shkuara e ka vënë në vështirësi shumicën qeverisëse në disa raste, duke i rrëzuar një sërë ligjesh të rëndësishme. Plot dy të tretat e trupës aktuale të gjyqtarëve, ose thënë me shifra të tjera, 6 anëtarë të tij, do të duhet që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit t’ua lënë karrigen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 6 emrave të rinj, që natyrisht do të kalojnë përmes procedurave normale të propozimit nga Presidenti dhe më pas të miratimit nga Kuvendi, ku pritet që maxhoranca të tentojë të ndryshojë balancat e përfaqësimit në favorin e vet.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›