E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së: Klasa politike të gjejë zgjidhje



Siç ndodh rëndom në situatat delikate politike në vend, edhe këtë radhë, kur disa deputetë janë futur në grevë urie në shenjë proteste ndaj marrëveshjes PD-PS për reformën zgjedhore, ndërkombëtarët kanë ndërhyrë. Por, ashtu si dhe herë të tjera, ata kanë ditur të ruajnë etikën diplomatike, duke mos kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë veprime apo mosveprime të klasës politike. Ata kanë kërkuar konsensus politik, por rrugët e zgjidhjes ia kanë lënë klasës politike shqiptare në dorë. Tre prej ambasadorëve të vendeve më me ndikim në Bashkimin Evropian së bashku me ambasadorin zyrtar të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, kanë qenë dje në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku kanë biseduar me përfaqësues të dy partive të mëdha, përkatësisht krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi nga PD-ja dhe Valentina Leskaj nga PS-ja. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm dy protagonistët kryesorë të marrëveshjes politike për Kodin e ri Zgjedhor, bashkëkryetarët e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali i PD-së dhe Fatmir Xhafaj i PS-së. Takimi është thirrur nga kryeparlamentarja Topalli në një moment kur salla e seancave plenare është kthyer tashmë në një vend proteste pas ngujimit në këto ambiente të 10 deputetëve të LSI-së e PDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen e dy partive të mëdha për reformën zgjedhore. Burime nga palët respektive që morën pjesë në këtë takim, bënë të ditur për “standard” se përfaqësuesit e BE-së nuk dhanë ndonjë sugjerim se si duhet të zgjidhjet kjo çështje, por shprehën shqetësimin për ecurinë normale të punimeve të Kuvendit, duke shpresuar në vazhdimin e punimeve. Ndërkohë, ata kanë bërë të qartë se problemi i grevës së urisë është një çështje që duhet të marrë zgjidhje nga klasa politike shqiptare. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit diplomatikë perëndimore janë rezervuar të japin këshilla se çfarë duhet të bëjnë PD e PS me kërkesat dhe kushtet e vëna nga partitë e futura në grevë urie. Gjithashtu, burime nga përfaqësuesit e partive politike në takim shtuan se kishte dhe një mesazh që kërkonte konsensus sa më të gjerë politik për këtë çështje. Ky mesazh duket i reflektuar dhe në deklaratën e miratuar pas këtij takimi në Konferencën e Kryetarëve, ku lihej e hapur mundësia për të diskutuar me këto parti, pasi reforma zgjedhore nuk është përfunduar akoma. “Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore”, - thuhet në këtë deklaratë, duke bërë kështu të qartë se rruga e debatit politik është e hapur. Ndërkohë, kërkesën për një kod elektoral sa më gjithëpërfshirës dhe që të ngjallë besim tek palët përfaqësues të BE-së e kanë bërë të qartë dhe publikisht. Ndërkohë partitë që po bëjnë grevë kanë kontestuar dhe ndryshimet në Kushtetutë, por kjo reformë gëzoi mbështetjen e BE-së pasi mori votat maksimale të një konsensusi politik në Kuvend.

KE: Duhet klimë besimi mes palëve

Komisioni Evropian kërkon miratimin sa më parë të Kodit të ri Zgjedhor me përfshirjen e të gjitha palëve dhe kërkon gjithashtu klimë besimi mes tyre. Në kushtet kur politika shqiptare është përfshirë më shumë se kurrë nga debate të ashpra për Kodin Zgjedhor mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve dhe sapo ka nisur një grevë urie me 10 deputetë, Komisioni Evropian komentoi klimën politike në vend, duke kërkuar sa më shumë dialog e konsensus nga të gjitha palët për ligjin e ri zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet e 2009-ës të mos kontestohen nga askush. E pyetur nga televizionet shqiptare se si vlerësohet klima aktuale politike në vend, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Kristianë Hohman, tha dje se KE-ja e ka mirëpritur dhe mirëpret dialogun mes partive kryesore që çoi në miratimin e një kodi zgjedhor. Ndër të tjera, ajo shtoi se pritet miratimi i një kodi zgjedhor gjithëpërfshirës, transparent që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Ju e mbani mend se Komisioni Evropian ka mirëpritur klimën e dialogut mes partive kryesore politike që çoi në miratimin e një sistemi të ri zgjedhor në Shqipëri. Dhe ne presim miratimin e këtij kodi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet nën kushtet e besimit në mes të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet, por edhe rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet", - tha Hohman. Pavarësisht se zhvillimet e reja kanë çuar deri në një grevë urie, zëdhënësja e KE-së nuk bëri asnjë koment lidhur me të dhe as mbi detajet teknike të Kodit Zgjedhor që sollën në këtë situatë. Sa për çështjet teknike, ndërkombëtarët e bënë të qartë se nuk kanë ndërmend të ndërhyjnë. Por Hohman tha se kjo çështje e debatit duhet të jetë po aq gjithëpërfshirëse sa kodi në tërësi. “Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në bisedimet e brendshme teknike që po zhvillohen aktualisht në Parlamentin shqiptar për sa i përket përbërjes së komisioneve zgjedhore. Përbërjet duhet të jenë subjekt i një debati të hapur në Parlament në mes të gjitha partive politike. Dhe Parlamenti është vendi i duhur për debatin dhe për ushtrimin e influencës demokratike”, - tha zonja Hohman. Në fakt, janë çështjet teknike ato që i kanë bindur tri parti të Kuvendit që të futen në grevë.

Uillson: Të mos pengohen reformat

Në komentin e tij për grevën e deputetëve, ambasadori britanik në Tiranë, Frezer Uillson, tha se e rëndësishme është që reformat të mos pengohen. Sipas diplomatit britanik, Shqipëria është në një demokraci të maturuar, që duhet të ketë përparësi përmbushjen e reformave. "Unë nuk dua të bëj asnjë koment rreth kësaj nisme, por dua të them se Shqipëria është një demokraci e maturuar. Kur them këtë, kam parasysh se është e nevojshme çuarja përpara e reformave që janë në dobi të zhvillimit dhe jo pengimi i tyre. Shqipëria po zhvillohet tashmë dhe nuk është në dorë të komunitetit ndërkombëtar t'i thotë asaj se çka duhet të bëjë", - tha Uillson, duke shtuar se shpreson që greva e deputetëve të gjejë një zgjidhje sa më parë.

Tubimet, Petrit Vasili paditet në prokurori nga policia

Policia e Tiranës ka paditur në prokurori sekretarin e përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili. Gjithashtu, në njoftimin për shtyp të këtij institucioni thuhet se dhe nuk do të lejohen grumbullime të tjera në të ardhmen.

"Përreth tri ditë LSI-ja ka zhvilluar tubim para Kuvendit pa njoftuar policinë, duke bllokuar segmentin rrugor në rrugën Xhorxh Ë. Bush. “Tubimi bie në kundërshtim me ligjin”, - u shpreh zëdhënësja e policisë. Sipas njoftimit për shtyp, mitingjet e LSI-së janë të paligjshme dhe kanë penguar trafikun në rrugët e Tiranës. Pas futjes në grevë së deputetëve të LSI-së dhe PDK-së ka pasur përplasje midis simpatizantëve të këtyre partive dhe forcave të policisë dhe gardës. Para Kuvendit është zhvilluar një tubim në mbështetje të nëntë deputetëve, por pa marrë më parë lejen nga policia sipas rregullores.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›