E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve u kërkon grevistëve lirimin e sallës

Konferenca e Kryetarëve, një ndër organet më të larta të Kuvendit të Shqipërisë, u bëri thirrje deputetëve grevistë që të lirojnë sallën e Kuvendit. Sot, pritet që Parlamenti, nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, të zhvillojë seancën e radhës, por në sallën kryesore ku zakonisht zhvillohen mbledhjet, deputetë të LSI-së e PDK-së po zhvillojnë grevën e tyre të urisë. Nisur nga kjo, krerët e grupeve parlamentare u detyruan të mblidheshin dje rreth mesditës dhe pas një mbledhjeje disaorëshe, u vendos që të dalin me një deklaratë të përbashkët. Në deklaratë kërkohet që deputetët të lirojnë sallën e Kuvendit dhe të zhvendosin grevën e tyre në një vend me më shumë kushte. Por grevistët me të marrë këtë mesazh, kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të ikin nga salla e seancave.

Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ishte i pranishëm deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i vetmi që nuk ka hyrë në grevë nga grupi i kësaj partie, i cili përcolli mesazhin e grevistëve që nuk tërhiqen derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Ai ka dalë nga mbledhja para së të përfundonte dhe deklaroi për mediat se dy partitë e mëdha po përgatisin skenarë dhune për ditën e sotme.

Deklarata e përbashkët

Para zhvillimit të mbledhjes, kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim me katër ambasadorë të rëndësishëm të vendeve të BE-së. Deklarata e bërë publike dje në orët e pasdites shënon edhe qëndrimin zyrtar të të gjitha partive politike, përfshirë këtu PD-në e PS-në që nuk e shohin grevën e urisë si vendimin më të mirë. Në deklaratën për shtyp thuhet se konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike. Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme. Sa për kërkesat e grevistëve, konferenca e kryetarëve shprehet se procesi nuk mund të pengohet nga askush. “Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore”, - thuhet në deklaratën e përbashkët. Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. “Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e Parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, - thuhet më tej. Njëkohësisht në deklaratë theksohet se krerët e grupeve parlamentare vërejtën se procesi i bërjes së reformave ka qenë gjithëpërfshirës dhe me konsensus. “Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjithë hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush”, - nënvizohet në deklaratë.

Prifti, thirrje për protestë

Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, e ka braktisur mbledhjen pasi ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të kërkesave të grevistëve. Në deklaratën e tij për mediat që prisnin prej disa orësh, Dritan Prifti hodhi dyshimet e tij për një skenar dhune, ndërsa kjo e ka bindur që të kërkojë që nesër qytetarët që i mbështesin të vijnë më shumë se kurrë pranë Parlamentit. “Nesër në orën 10:00 në kohën që do të jetë seanca plenare, të mblidhen të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kanë shqetësim për votën e lirë, të mbrojnë deputetët që janë në Kuvend nëse do të ketë ndonjë skenar dhune nga shteti për t'i mbrojtur ata dhe për të mbrojtur të drejtën e tyre legjitime që e njeh gjithë bota me standardet shqiptare dhe ndërkombëtare, të drejtën e tyre legjitime për të bërë një grevë urie në vendin që ato zgjedhin ta bëjnë”, - tha Prifti.

Besnik Mustafaj, në krah të grevistëve: “Të mos bëjmë zgjedhje të paragjykuara”

Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, solidarizohet me vendimin e 11 kolegëve të tij për të hyrë në grevë urie për Kodin e ri Zgjedhor. Ai bëri thirrje që përderisa ka ende kohë, Komisioni i Reformës Zgjedhore të mundësojë një kod që të mos kontestohet dhe të jetë gjithëpërfshirës. Mustafaj tha se ashtu si shumica e deputetëve, nuk është njohur ende me projektin e Kodit të ri Elektoral dhe nuk është në gjendje të gjykojë deri në ç’masë është e përligjur protesta e tyre ekstreme. “Por, unë gjykoj se demokracia jonë duhet të provojë në këtë rast se ka fituar tashmë një pjekuri të mjaftueshme për të fshirë nga realiteti ynë politik dhe institucional arsyet thelbësore për një protestë të tillë radikale. Protestat radikale e tensionojnë doemos klimën politike të vendit, duke krijuar kështu një atmosferë që nuk favorizon kryerjen e reformave të mëdha që kemi përpara deri në përfundim të mandatit”, - shtoi deputeti demokrat. Në lidhje me çështjet teknike, ai tha se administrimi i votave është një procedurë teknike në procesin elektoral dhe kjo procedurë teknike mund të prodhojë efekte shumë të dëmshme politike, pasi rrezikon të çojë në kontestimin e rezultatit nga njëri apo tjetri prej konkurruesve në votime e, rrjedhimisht, ul legjitimitetin e fituesit, duke cenuar kështu plotësimin e njërit nga standardet themelore të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, ai lëshoi një mesazh për mazhorancën, duke i kujtuar asaj se e ka provuar vetë se çfarë është manipulimi i votave. “Ne, anëtarët e Partisë Demokratike, jemi dëshmitarë të manipulimit të votave tona disa herë, nëpërmjet numërimit të tyre, qoftë edhe në zgjedhjet lokale, qoftë edhe ato të përgjithshme gjatë periudhës 1997-2005. Kjo histori e keqe, që kemi pësuar ne, më jep besim mua se përfaqësuesit e PD-së në Komisionin parlamentar për Reformën Elektorale do të kenë ndjeshmërinë e nevojshme për të prodhuar një ligj të drejtë për të gjithë dhe të besueshëm nga të gjithë”, - deklaroi Mustafaj. Ndërsa PS-së Mustafaj i kujtoi se ka në historinë e saj shumë njolla të errëta si manipuluese e rezultatit të zgjedhjeve gjatë viteve që ishte në pushtet. “Gjykoj se ky është rasti që ajo të shkëputet përfundimisht nga historia e saj e palavdishme”, - përfundoi deputeti demokrat.

Greva në ditën e tretë. Deputetët, dhimbje koke e probleme tensioni

10 deputetët e Kuvendit kanë hyrë dje në ditën e tretë të grevës së urisë. Zëdhënësi i kësaj greve, Dritan Prifti, ka komunikuar dje gjatë paradites me deputetët. Ai është munduar që të sjellë disa filmime nga salla, por kamera që mori me vete nuk u lejua të futej brenda nga Garda, siç deklaroi Prifti pasi doli nga Kuvendi. Sipas tij, deputetët kanë shfaqur që të gjithë probleme me dhimbje koke e tension. Kushtet, sipas tij, i ngjajnë një qelie. Gjithashtu, Prifti shtoi se personalitete të njohura shqiptare janë në mbështetje të grevës së deputetëve. Sipas Priftit, deputetët janë optimistë dhe janë të vendosur të vetësakrifikohen deri në një zgjidhje të problemit. Nënkryetari i LSI-së, gjithashtu u shpreh se deputetët nuk kanë pasur negociata nga dy partitë kryesore të vendit. Dje ambulanca me mjekët që vizitojnë herë pas here deputetët grevistë, qëndronte brenda oborrit të Parlamentit. Dy ditë më parë, grevistët e kërkuan ambulancën për të bërë një vizitë për Spartak Brahon dhe Ymer Tolën, por për disa orë nuk u lejua të futej në Kuvend. Ndërkohë që Dritan Prifti bëri të ditur se ka kërkesa të shumta të deputetëve kolegë për të takuar miqtë e tyre brenda sallës së Kuvendit, por sipas tij, edhe ata nuk lejohen të hyjnë. Zëdhënësi i grevës së urisë bëri të ditur se ka mjaft mesazhe edhe nga PS-ja që thonë se i mbështesin dhe se në ditët në vijim ata do të shprehen publikisht.

Ndoka: Të vendosur të vazhdojmë grevën

Kryetari i Partisë Demokristiane dhe njëkohësisht një prej pjesëmarrësve të grevës së urisë, Nard Ndoka, u shpreh dje se gjendja e deputetëve grevistë është e mirë. Sipas Ndokës, morali i deputetëve grevistë sa vjen e shtohet nga mbështetja e protestuesve jashtë Kuvendit. Gjithashtu, Ndoka u shpreh se deputetët janë të vetëdijshëm për situatën, por ata do të jenë të palëkundur deri në realizimin e kërkesave të tyre. "Me keqardhje do të thosha se politika shqiptare reagon vetëm kur ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe dy partitë kryesore tregohen shurdhe", - u shpreh Ndoka.

Braçe: Greva, humane, por politikisht e gabuar

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, është i vetmi deputet që ka pranuar të komentojë publikisht vendimin e 11 deputetëve për të hyrë në grevë për shkak të Kodit të ri Zgjedhor. Braçe ka shprehur dy qëndrime njëkohësisht, atë që grevën e sheh si humane, por të gabuar politikisht. Duket se ky është qëndrimi i shumë deputetëve socialistë, pasi nga ana njerëzore e kuptojnë qëndrimin e kolegëve të tyre, por qëndrimet politike të partisë që përfaqësojnë nuk mund të shprehen. “Nga pikëpamja humane më lejoni të them që është një moment i vështirë. Politikisht, unë e gjykoj gabim”, - tha Braçe.

Grupi i qendrës mbështet grevistët

Deputetë të grupit të qendrës, të krijuar pak kohë më parë nga disa deputetë që u përjashtuan nga Partia Socialiste më shumë se një vit më parë, janë shprehur për grevën. Në një prononcim për mediat, deputeti i Grupit të Qendrës, Durim Lamaj, shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e tij për deputetët e futur në grevë urie. Ai i konsideroi të drejta kërkesat e tyre dhe ka thënë se “Edi Rama ta ketë të qartë që LSI-ja është forca e dytë pas PS-së, prandaj një komisioner nga e majta i takon patjetër”, - deklaroi ai.

LSI, protesta në Vjenë, Bruksel e Romë

Duke dalë para protestuesve, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, bëri të ditur se protesta në mbrojtje të votës së lirë dhe të deputetëve në grevë urie, si dhe për të mos lejuar shkatërrimin e zgjedhjeve, do të zhvillohen sot në disa nga kryeqytetet e Evropës. Kështu, protesta do të zhvillohen përpara selisë së OSBE-së në Vjenë, do të zhvillohen në Bruksel dhe në Romë. Duket se ndërkombëtarizimi i çështjes edhe përmes agjencive të njohura mediatike ka dhënë rezultatet e veta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›