E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së japin alarmin: “Qeveria po shkakton konflikt me institucionet e pavarura”

Ambasadorët e BE-së, të akredituar në Tiranë, shprehin shqetësim për situatën në vend. “Qeveria të respektojë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes”

Eljona Ballhysa
Vetëm një ditë pas deklaratës së Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë kanë reaguar dje ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, të akredituar në kryeqytetin shqiptar. Nëpërmjet një deklarate për shtyp ambasadorët i bëjnë thirrje qeverisë që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe t’i japë fund konfliktit me institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë. Ambasadorët kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me konfliktin e shkaktuar ditët e fundit midis qeverisë dhe organit të Prokurorisë së Përgjithshme. Nëpërmjet deklaratës së tyre ambasadorët dalin në mbrojtje të institucionit të Prokurorisë, duke kritikuar veprimet e qeverisë, ndërsa i bëjnë thirrje asaj që të respektojë parimet e mirëqeverisjes, pjesë e së cilës është dhe llogaridhënia përballë ligjit.
Deklarata
“Ambasadorët e vendeve të BE-së, të akredituar në Tiranë, janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. Ne u bëjmë një thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të ambasadorëve të BE-së në Shqipëri. Ndërkombëtarët shpeshherë ka vënë theksin në domosdoshmërinë e respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Konflikti i fundit midis dy ministrive, asaj të Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme, ka nxitur ndërkombëtarët e akredituar në Tiranë që të reagojnë sërish, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare. Deklarata e ambasadorëve të BE-së ka ardhur vetëm një ditë pas reagimit të ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili, nëpërmjet zëdhënësit për shtyp, kritikoi dy ministra të kabinetit qeveritar për presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.
SHBA-të
Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Biks Aliu, në njoftimin për shtyp kërkon që ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, t’i japin fund kërcënimit të prokurorëve. Nëpërmjet një gjuhe të ashpër Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kritikon qeverinë shqiptare dhe ministrat e kabinetit për ndërhyrje në punët e institucionit të pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme, duke dalë dhe njëherë tjetër në mbrojtje të këtij institucioni. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”, - përfundon njoftimi për shtyp i Ambasadës Amerikanë në Tiranë. Ashtu sikurse vihet re, ambasadori Uidhers, nëpërmjet zëdhënësit të tij, i ka komunikuar një mesazh tejet të qartë qeverisë “Berisha”. Kjo deklaratë e Uidhersit ka ardhur vetëm pak minuta pas përfundimit të konferencës për shtyp të kreut të qeverisë shqiptare. Sali Berisha, gjatë kësaj konference, dënoi aktin e dy prokurorëve, të cilët kanë kërkuar ndalimin e biznesmenit boshnjak Fazlliç nga policia nëpërmjet një bisede telefonike, ndërkohë që bëri publik dhe vendimin e tij më të fundit, që do të kërkojë hetim ndërkombëtar të çështjes “Fazlliç”.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›