E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Do të shpall dekret për hetimin ndërkombëtar të Fazlliçit”



Eljona Ballhysa
Çështja “Fazlliç” ka përfshirë në një debat të gjerë të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Ndërkohë që bëhet publike se do të ketë një hetim të trefishtë ndaj tij. Përveç hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme, “miku” i biznesmenit boshnjak, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, bëri dje publike vendimin për të hetuar Fazlliçin nga një grup hetuesish ndërkombëtarë. Kryeministri u shpreh se së shpejti do të nxjerrë një dekret, nëpërmjet të cilit do të kërkojë hetimin ndërkombëtar të Fazlliçit, hetim i cili do të zbardhë nëse ky biznesmen ka përfituar ose jo nga fondet publike të qeverisë shqiptare. Berisha gjithashtu bëri të ditur se do të ketë edhe një hetim parlamentar ndaj Fazlliçit, pasi do të miratohet së shpejti ngritja e një komisioni të posaçëm hetimor. Gjatë fjalës së mbajtur përpara mediave, Berisha akuzoi prokurorët Shtylla dhe Mazreku se kanë shkelur Kushtetutën ndërsa kanë kërkuar nëpërmjet një bisede telefonike që të ndalohet nga policia Damir Fazlliç, gjatë vizitës së zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë. Po kështu, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi të padrejtë ngrirjen e aseteve të kompanive të biznesmenit Fazlliç.
Vendimi
“Qeveria vendos të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit”, - është shprehur Berisha. Ai bëri të ditur se hetimi do të ndërmerret për dy arsye. “E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar”, -është shprehur Berisha. E dyta, sipas tij, është se duhet të zbardhen ngjarjet e zhvilluara gjatë ditëve të fundit. “Është goditur biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar, në mënyrën më të pabesueshme, janë ngrirë llogari, asete të kompanive dhe firmave të cilat nuk kanë, në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër, asnjë penalitet të vetëm. Këto janë dy motivet bazë që argumentojnë se përse qeveria do të kërkojë hetim ndërkombëtar”, - është shprehur Berisha. Kryeministri gjithashtu ka garantuar se hetimi i ndërkombëtarëve nuk do të përjashtojë nga hetimi prokurorët shqiptarë. “Kjo nuk do të thotë aspak se do të përjashtohen nga hetimi prokurorët shqiptarë. Kategorikisht jo! Kjo do të thotë që në hetim do të marrin pjesë dhe prokurorë të huaj”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.
Akuzat
Kryeministri Berisha ka hedhur akuza ndaj dy prokurorëve, Shtylla dhe Mazreku, të cilët, sipas tij, kanë shkelur Kushtetutën ndërsa kanë kërkuar nëpërmjet telefonit që policia të ndalë biznesmenin Fazlliç. “Unë kam këtu dy deklarata të dy oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilëve, në datën 8 tetor u është kërkuar me telefon të ndalojnë shtetasin Damir Fazlliç, me një urdhër verbal, në dhunim të të gjitha ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Këto kërkesa u janë parashtruar atyre nga prokurori Shtylla dhe prokurori Mazreku. Dua t’ju bëj me dije se edhe armiku më i egër i këtij kryeministri, nëse do të ndalohej në mënyrë të tillë, do të përbënte turpin më të madh për këtë vend”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se të tillë prokurorë shkelmojnë pavarësinë e institucionit të Prokurorisë dhe jo vendimi i tij për të kërkuar hetues ndërkombëtarë. “Por pavarësinë e Prokurorisë e shkelmojnë më shumë se çdo gjë tjetër, ata që urdhërojnë me telefon ndalimin e shtetasve të huaj apo vendas, jashtë flagrance. Këtë pavarësi e rrënojnë më shumë se çdo gjë tjetër ata që thërrasin gazetarët dhe u thonë që t’u përcjellin shqiptarëve lajmin se eksperti i huaj s’do të merret për bazë. Ata besoj se nuk punojnë për pavarësinë e institucionit të tyre, por shkelmojnë mbi këtë pavarësi”, - është shprehur Berisha. Ai ka garantuar se qeveria nuk do të lejojë ngrirjen e aseteve të bizneseve. “Të ngrish asetet në llogari për hesap të hanxharëve të vjetër të mafies, kjo nuk duhet të lejohet. Të atakosh firmat që kanë bërë biznese në të gjitha qeveritë me dinjitetin më të madh dhe që nuk kanë asnjë lloj penaliteti, kjo do të thotë se ke shkelmuar mbi një parim shumë themelor të vendi dhe të biznesit tënd. Kjo është e papranueshme sepse nuk mund të goditen kompanitë në këtë mënyrë”, - është shprehur Berisha.
Parlamenti
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se krahas hetimit ndërkombëtarë, Fazlliç do të hetohet dhe nga një komision i posaçëm hetimor i Kuvendit të Shqipërisë. “Sikundër Parlamenti do të krijojë një komision hetimor parlamentar. Kjo jo për dosjen përkatëse, sepse ligjet e vendit nuk lejojnë as ndërhyrjen më minimale në një çështje që është në hetim, por Parlamenti do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Institucionet tona janë institucione ligjore dhe veprojnë mbi bazën e ligjeve, ndaj çdo gjëje që duhet të bëhet transparente para shqiptarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shprehur mirënjohjen se kjo kërkesë është bërë më parë nga kreu i opozitës Rama.

“Ina Rama të hetojë dosjet e lëna pezull nga Sollaku”

Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Preç Zogaj ka kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të mos merret me politikë, por të hetojë dhe dosjet e lëna pezull nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së bënë të ditur se Zogaj ka kërkuar që të ndryshojnë prokurorët, pasi, sipas tij, nuk është bërë reformë në këtë institucion. Përveç përzgjedhjes së kryeprokurores Rama nuk është ndryshuar asnjë prokuror në këtë institucion të pavarur. Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij ka informuar deputetët për hetimin ndërkombëtarë ndaj Fazlliçit, si dhe ka kërkuar nisjen e procedurave për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›