E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Fazlliç” shkakton debate në seancë, Ngjela: “Qeveria ka frikë nga Prokuroria”



Çështja “Fazlliç” ka shkaktuar debate të ashpra në seancën e djeshme parlamentare midis opozitës dhe maxhorancës. Deputetët e opozitës kanë hedhur akuza ndaj qeverisë për favorizim të biznesmenit boshnjak Fazlliç si dhe për presion të ushtruar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Spartak Ngjela, e ka akuzuar qeverinë se po tenton të kontrollojë të gjitha institucionet e vendit. Sipas Ngjelës, ky shtet është përgjegjës për një sërë shkeljesh dhe kërkon të kontrollojë Prokurorinë pasi i druhet asaj. “Në këtë vend tendenca tiranike qenka e fortë. Një parlament që merret me prokurorinë ndodhet mes dy alternativash: ose vjedh dhe ka frikë nga prokurori, ose ka frikë nga krimi. Nga krimi kjo qeveri nuk ka frikë, por ka nga prokurori, pasi është e implikuar vetë”, - ka pohuar Ngjela. Më tej avokati e ka vënë theksin te çështja “Fazlliç”, duke e vlerësuar si të pajustifikueshme mbrojtjen e qeverisë me argumentin se atë e solli këshilltari amerikan i kryeministrit Berisha, Tom Rixh. “Cili është Damir Fazlliç? Nuk trembni dot njeri me Tom Rixhin. Ky njeri le të vijë me kë të dojë, edhe me presidentin. Në SHBA kanë futur presidentë në burg. Në Shqipëri nuk ka demokraci, vendi vuan nga një qeveri uzurpatore”, - ka shtuar Ngjela. Edhe deputetët e opozitës e kanë dënuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë për mbrojtjen që po i bëjnë biznesmenit Fazlliç. Deputeti Arben Malaj u shpreh se vendi ndodhet në krizë institucionale, të krijuar nga kryeministri Berisha, i cili ka frikë se mos zbardhen aferat korruptive.
Edhe deputeti Erion Braçe solli të tjera fakte, që sipas tij vërtetojnë krimin e pastrimit të parave të bëra nga kompanitë e Fazlliçit në Shqipëri. Por debate të ashpra nxiti në Kuvend deklarata e kryeministrit Berisha, që i thërriti me “nofka” kriminelësh deputetët e opozitës. Ai e cilësoi Arben Malajn si Arben Cenaj, apo Ilir Metën si Ilir Floriri, Engjëll Bejtaj si Engjël Armoja, Erion Braçen si Erion Dondollaku dhe Edi Ramën si Edi Gina. “Më thoni kur do të bëni mitingun ‘Vdekja e Fazlliçit’, të vij dhe unë të mbaj një fjalim që të mos ziheni me njëri-tjetrin”, - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi opozitën se maxhoranca do të votojë e vetme ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për Fazlliçin. Deklarata e Berishës shkaktoi debate në sallë. Ndërkohë që deputetët e opozitës kërkuan mbledhjen e Byrosë Parlamentare për të marrë masa ndaj Berishës, pasi sipas tyre gjuha e përdorur në sallë është shkelje e etikës dhe Rregullores së Kuvendit.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›