E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen sanksionet për “spiunët” në administratë



Eljona Ballhysa
Një punonjës i administratës gjyqësore nuk do të sanksionohet në rast se bën publik një akt korrupsioni të shefit apo të kolegut të tij. Pikërisht kjo dispozitë është miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Me gjuhën e konsensusit, deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës kanë miratuar ndryshimin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë të bërë në Kodin e Punës. Ky amendim parashikon që një punonjës që dyshon dhe akuzon për një akt korruptiv në administratë, ai nuk duhet të penalizohet. Deputeti Isaraj kërkoi që një nen i tillë të shtohet dhe në ligjin për statusin e nëpunësit civil, pasi këtij ligji i referohet administrata shtetërore. Por juristja e Ministrisë së Drejtësisë, e pranishme në komision, sqaroi se kjo dispozitë, që tashmë do të jetë pjesë e Kodit të Punës, do të jetë e zbatueshme dhe për nëpunësit e administratës shtetërore që kanë statusin e nëpunësit civil.
Kodi i Punës
Sipas ndryshimeve të miratuara dje në Kodin e Punës, denoncuesit e çështjeve të korrupsionit në administratë, që janë pjesë e saj dhe që denoncojnë kolegët e tyre, nuk mund të penalizohen financiarisht nga institucioni. “Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm”, - thuhet në pikën një të ndryshimit në Kodit të Punës. Në pikën dy theksohet se “kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimimit në gjykatë”. Një tjetër detaj në ndryshimet e djeshme në Kodin e Punës është edhe se “raportimi i fakteve që kanë lidhje me korrupsionin nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional”. Me këtë ndryshim kuptohet qartë se në rast se punonjësi denoncon çfarëdo sekreti të administratës që lidhet me çështje korrupsioni, nuk përbën shkelje etike apo sekreti profesional që mbrohet me ligj.
Kodi Civil
Komisioni i ligjeve miratoi me konsensus dhe dy nenet që propozojnë ndryshime në Kodin Civil dhe që parashikojnë dëmshpërblimin e të dëmtuarit nga një akt korrupsioni. Nëpërmjet këtij ndryshimi një person i dëmtuar nga akti korruptiv ka të drejtë të ngrejë dy padi gjyqësore, një padi penale dhe një padi civile, duke kërkuar kompensimin monetar, apo moral ndaj këtij akti. Kjo është parashikuar në nenin e parë që sjell ndryshimin e nenit 639/1 të Kodit Civil, sipas të cilit “personi që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit, të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar”. Po kështu, ndryshimet në Kodin Civil parashikojnë dënimin edhe të personit, i cili ka dështuar të parandalojë aktin korruptiv, pavarësisht hapave që ai ka ndërmarrë. Kjo parashikohet në pikën dy, sipas së cilës “i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit”.
Ministri i Drejtësisë, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, e cila është drejtuar nga socialisti Fatmir Xhafaj, në mungesë të kryetarit Ilir Rusmali, bëri të ditur se ndryshimet në këtë ligj rrjedhin nga Konventa e Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit. Ai tha se kjo konventë i ngarkon me përgjegjësi dhe personat që nuk parandalojnë korrupsionin. “Kjo pikë rrit përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve që të marrin masat e duhura për të luftuar korrupsionin”, - është shprehur Alibeaj. Edhe relatori i projektit, Spartak Braho, e mbështeti në parim ndryshimet e paraqitura.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›