Llalla merr zyrtarisht drejtimin e Inspektoratit të Pasurive
Adriatik Llalla mori dje në dorëzim detyrën e inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) në një takim të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në Pallatin e Brigadave, ku ishte e pranishme edhe Fatmira Laska, e cila e drejtoi institucionin për periudhën 2003-2008. Më pas, Llalla, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko dhe nga Këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit, Artur Metani, u prezantua me stafin e ILDKP-së. Në fjalën e tij para punonjësve, Llalla shprehu vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës dhe Kuvendit e Shqipërisë për besimin që i dhanë duke e zgjedhur në krye të Inspektoratit të Lartë, si edhe shprehu bindjen se puna e suksesshme e deritanishme e institucionit do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Adriatik Llalla ishte një ndër dy kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës për drejtues të ILDKP-së më 14.7.2008 dhe u zgjodh në detyrën e inspektorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Shqipërisë më 9.10.2008.
KMK, sërish në mbrojtje të Kushtetutës
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës kundërshton sërish propozimin e dy partive kryesore, PS dhe PD, për të ndryshuar sërish në harkun kohor të 6 muajve Kushtetutën. Komiteti për Mbrojtjen Kushtetutës pritet të dalë sot me një prononcim publik, ku do të hedhë poshtë idenë e dy partive të mëdha për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me kufizimin e imunitetit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas KMK-së, një gjë e tillë përbën sërish rrezik, që kërcënon demokracinë e brishtë shqiptare. KMK pritet të kundërshtojë gjithashtu edhe disa projektligje që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, të propozuara nga maxhoranca. Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës pritet të kundërshtojë projektligjin për prokurorinë, si dhe të dënojë presionet e fundit që janë ndërmarrë nga qeveria në drejtim të Prokurorisë.
14 Tetor 2008