E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e rinj të Shqipërisë

Emrat

Arben Cici shkon ambasador në Danimarkë. Diplomat karriere, Cici ka qenë këshilltar i Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe ish-shefi i Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Agim Isaku shkon ambasador në Sllovaki. Publicisti i njohur, ish- ambasador në Spanjë, ka qenë edhe këshilltar dhe shef i kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano.

Flamur Gashi është vendosur për postin e ambasadorit në Bosnjë-Hercegovinë, ambasadë e re në këtë vend, të cilit Shqipëria po i kushton vëmendje në kontekstin e politikës së saj rajonale. Gashi ka qenë drejtor i Institutit të Diasporës Shqiptare në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Vili Minarolli, më datë 30 qershor, i dorëzoi Presidentit të Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, letrat kredenciale, të cilat e akreditojnë atë si ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Austri. Minarolli është diplomat karriere dhe deri vonë, ish-ambasadori shqiptar në Greqi. Minarolli ka qenë dhe ambasador në Beograd në vitet 1993-1995 dhe ish-drejtor i Europës në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Dashnor Dervishi, diplomat karriere, disa herë ambasador në vende të ndryshme, si Izraeli, Italia, Turqia, Meksika. Këtë herë është emëruar ambasador i Shqipërisë në Greqi

Behar Bejko, njohës i mirë i gjuhës arabe, shkon ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky emërim përkon me vizitën e ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan dhe përurimit të Aeroportit të Kukësit që u bë bashkë me zv/kryeministrin Meta

Mira Hoxha, drejtoreshë e Nismave Rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme propozohet ambasadore në Hungari dhe Elvira Isufaj, diplomate, ish-Konsulle në Stamboll, aktualisht është propozuar për në çeki

Ilir Tepelena, diplomat karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme është ambasadori i ri i Shqipërisë në Belgjikë. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në shërbimin e jashtëm, ministër këshilltar në Itali, diplomat në Paris, Tepelena do të mbulojë Belgjikën dhe Luksemburgun.

Kastriot Robo është ambasadori i Shqipërisë në Spanjë. Robo gjatë këtyre viteve, ka mbajtur postin e drejtorit të Protokollit të Shtetit dhe më parë ka qenë ambasador në Londër. Emërimi i tij në Spanjë, duke qenë një diplomat karriere i suksesshëm, ndodhi në momentin kur Spanja mori presidencën e BE-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›