Topalli zgjidhet zv/presidente e IPU-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zgjidhet zëvendëspresidente e Unionit Ndërparlamentar Botëror. Përzgjedhja e kandidaturës së kryeparlamentares Topalli është bërë ndër 155 kryetarëve të Parlamenteve të të gjithë vendeve të botës, të cilët janë edhe anëtarë të Unionit Ndërparlamentar Botëror. Në cilësinë e zëvendëspresidentes, Jozefina Topalli është e ftuar nga presidenti i IPU-së, Theo-Ben Gurirab, në Konferencën e Tretë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, një samit global i fokusuar në rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky takim i nivelit të lartë do të mbahet në qendrën e IPU-së, në zyrat e Kombeve të Bashkuara të njohur si Pallati i Kombeve, në Gjenevë, më 19-21 korrik 2010.
Tema qendrore e këtij evenimenti unik, me një rëndësi të madhe politike, është “Parlamentet në një kohë krize botërore, sigurimi i një demokracie globale për të mirën e përbashkët”, ku Kryetarja e Kuvendit do të mbajë edhe një fjalim mbi: “Forcimin e besueshmërisë politike mes Parlamentit dhe qytetarëve”.
Përpara kësaj konference, Kryetarja e Kuvendit është e ftuar të marrë pjesë edhe në Konferencën e Gjashtë Vjetore të Grave Kryeparlamentare që do të mbahet në Bern, në datat 16-17 korrik 2010. Kjo konferencë do të organizohet nën kujdesin e presidentit të IPU dhe Parlamentit të Zvicrës.
Ky takim do të fokusohet, jo vetëm në sfidat për arritjen e barazisë gjinore, por në veçanti në arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit për kujdesin ndaj foshnjave dhe nënave. Konferenca do të kontribuojë edhe në përgatitjet e takimit mbi rishikimin e Objektivave të Mijëvjeçarit, që do të mbahet në shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.