Ambasadorët e vendeve të NATO-s vlerësojnë rolin e opozitës për anëtarësimin e Shqipërisë
Xhon Uithers, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, nuk ka qenë i vetmi diplomat që ka shprehur mbështetjen dhe inkurajimin për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO të Shqipërisë. Edhe ambasadorët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, të cilët kanë qenë të pranishëm në tryezën e rrumbullaktë të organizuar nga Partia Socialiste, janë shprehur optimistë për suksesin e Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit, ku synohet marrja e ftesës së anëtarësimit në strukturën euro-atlantike. Ndërsa diskutimet e këtyre ambasadorëve janë bërë pa praninë e medias, burime brenda Partisë Socialiste, të pranishëm në këtë takim, bënë të ditur se nga ana e ambasadorëve ka patur diskutime mjaft pozitive dhe optimiste se Shqipëria do të marrë javën e ardhshme ftesën e anëtarësisë në Samitin e Bukureshtit për t’u integruar në NATO.
Dy ditë më parë, Partia Socialiste organizoi një tryezë të rrumbullaktë me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në Shqipëri, në prag të zhvillimit të Samitit të Bukureshtit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në këtë takim theksoi gatishmërinë e PS-së dhe opozitës për të bashkëpunuar për integrimin euroatlantik të vendit, ndërkohë që ai shprehu besimin e tij të plotë se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO gjatë zhvillimit të Samitit të Bukureshtit në fillim të muajit prill. Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uithers, u shpreh optimist për marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai theksoi se një gjë e tillë do të konsiderohet nga SHBA-të si një arritje dhe kontribut i të gjithë klasës politike shqiptare dhe të gjithë popullit shqiptar, që aspiron për t’u integruar në strukturën euroatlantike.
“Qeveria ime nuk do ta shohë këtë vetëm si një tregues të një grupi të vetëm, por do ta shohë si një arritje të udhëheqësisë së Shqipërisë si një e tërë, si një arritje e popullit shqiptar”, - deklaroi në këtë takim ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri.
31 Mars 2008