E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Qeveria abuzoi me kontributet e shqiptarëve për të mbijetuarit e tragjedisë”

Kreu i selisë rozë, akuza Këshillit të Ministrave për mungesë transparence. PS: Qeveria fshehu dëmet reale që shkaktoi tragjedia

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar qeverinë se ka abuzuar me kontributet solidarizuese të qytetarëve shqiptarë në drejtim të familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit. Duke iu referuar vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, Rama tha se është e patolerueshme mënyra se si qeveria ka vendosur që të kalojë në buxhetin e shtetit shumat financiare që shqiptarët kudo që janë depozituan në llogaritë bankare për t’u ardhur në ndihmë viktimave dhe të mbijetuarve nga kjo tragjedi. “Është e patolerueshme që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët e organizatat për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Janë ndihma të solidaritetit qytetar për viktimat dhe të mbijetuarit. Nuk janë ndihma për qeverinë, e cila është përgjegjëse dhe fajtore, dhe e cila nuk mund ta përdorë në mënyrë kaq cinike këtë solidaritet, duke marrë nga njëra anë taksat dhe kontributet e qytetarëve për buxhetin dhe nga ana tjetër duke futur dhe dhuratat dhe ndihmat e solidaritetit në buxhet me arsyetimin absurd se po tejkalohet fondi i emergjencës, i cili është i paqartë, i cili është jotransparent, i cili është fiktiv, përsa kohë nuk ka një fond të përcaktuar në bazë të të dhënave dhe të kostove”, - tha Rama, i cili, së bashku me drejtues të tjerë të PS-së, kanë shpërndarë dje ndihma për të mbijetuarit e tragjedisë që janë strehuar në ambientet e Kovaleshencës në Durrës.
Fshehja e dëmit
Partia Socialiste ka akuzuar gjithashtu qeverinë se po fsheh dëmet reale që ka pësuar ekonomia e vendit nga shpërthimet e ndodhura në Gërdec. Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, tha se dëmet reale janë disa herë më të mëdha nga ato që ka deklaruar qeveria aktuale. “Qeveria fsheh dëmin real të kraterit ‘Gërdec’ në ekonominë shqiptare. Shteti na paraqet vetëm një fraksion të faturës financiare, por jo koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie me përmasa kombëtare. Dëmi i shkaktuar i kalon ato të paraqitura në faturën financiare, ofruar nga qeveria pas një inspektimi një javor, thjesht si shtëpi dhe orendi të dëmtuara apo dhe disa krerë bagëti. Qeveria është e paaftë dhe e papërgjegjshme për të kuptuar shkallën e rëndë të dëmit të shkaktuar në ekonomi, prandaj nuk mund të përballojë situatën ashtu si nuk mundi ta parandalojë atë. Kjo është një arsye më shumë pse Partia Socialiste është e vendosur në qëndrimin e saj për të kërkuar largimin nga pushteti të qeverisë së sotme”, - tha Bushati. Ai tha se si rezultat i tragjedisë, ekonomia shqiptare është nën efektin shok. “Në të ardhmen, pasojat do të jenë rritje ekonomike e frenuar dhe çmime më të larta, shkaktuar nga një treg i deformuar dhe abuzuar prej instancave më të larta të shtetit”, - u shpreh nënsekretari për programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati.
Vendimi i qeverisë
Tri ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi fondin prej 1.572 milionë lekësh ose afërsisht 20 milionë dollarësh për të kompensuar shtëpitë dhe banorët e fshatrave të prekur nga tragjedia. Projektvendimi i qeverisë ka përfshirë në aktin e tij edhe 150 milionë lekë, mbi 1.5 milionë dollarë, të cilat janë dhuruar nga qytetarët shqiptarë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tragjedia. Këto para, që nga qytetarët janë dhuruar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Gërdecit, qeveria i ka marrë nga llogaritë bankare dhe i ka përfshirë në dëmshpërblimin prej 20 milionë dollarësh, duke i cilësuar si fonde rezervë të Këshillit të Ministrave. Vendimi i qeverisë nuk përfundonte me kaq. Më tej, në vendim shkruhej: ”Donacionet e grumbulluara mbi shumën e përcaktuar në këtë projekt do të rimbursojnë në të njëjtën masë fondin e kontigjencës të përdorur për këtë qëllim”. Kjo do të thotë se çdo dhurim i mëtejshëm nga qytetarët shqiptarë nuk do të shkojë për banorët e Gërdecit, por do të përfundojë në Buxhetin e Shtetit dhe për më tepër në pjesën e Buxhetit që përdoret pa projekt nga ana e Këshillit të Ministrave. Me këtë veprim, qeveria i ka kursyer buxhetit të vet rezervë këto para dhe ua ka marrë qytetarëve shqiptarë, të cilët kontribuan për t’iu gjendur pranë në momentet e vështira banorëve të Gërdecit.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›