E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, mazhoranca "ok" kandidatëve. PS bojkoton

12/02/2009  Komisioni i Jashtëm pranoi propozimet e qeverisë, dënon sjelljen e socialistëve

Dade: Kryeministri nuk mund të bëjë emërime 3 muaj para zgjedhjeve

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme, pa deputetët e Partisë Socialiste, tre kandidatët e propozuar për ambasadorë në Serbi, Gjermani dhe Portugali. Deputetët e mazhorancës pas seancës dëgjimore mes kandidatët Shpëtim Caushi për ambasador në Serbi, Valter Ibrahimi në Gjermani dhe Edmond Trako në Portugali, kanë vlerësuar kandidaturat e tyre si diplomatë karriere. Ndërsa javën tjetër ky komision do të shqyrtojë propozimin për ambasador në Rusi të Sokol Gjokës. “Nga CV-të e tyre mund të themi me plot bindjen se kandidatët janë ambasadorë karriere. Është për t’u vlerësuar dhe shumë e rëndësishme fakti që figura të tilla shkojnë të përfaqësojnë vendin tonë në shtete që kanë një peshë të rëndësishme në raport me Shqipërinë dhe vendet e BE-së”, - vlerësoi gjatë një prononcimi për “Metropol” anëtarja e komisionit Lajla Përnaska, deputete e PD-së.

Opozita

Por nuk kanë shprehur të njëjtin vlerësim përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët munguan në mbledhjen e djeshme. Nënkryetarja e komisionit Arta Dade, njëkohësisht sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, i ka vlerësuar të pajustifikuara lëvizjet në nivel ambasadorësh. “Ka vetëm 3 muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe kryeministri nuk mund të emërojë ambasadorë që presupozohet se do të përfaqësojnë shtetin. Duke qenë se ky problem nuk është zgjidhur dhe diplomacia shqiptare sot përballet me probleme vërtet serioze, menduam se nuk ka pse të bëhen arnime duke sjellë kandidatura në emergjencë për ambasadorë në ato vende ku ka më se 10 muaj që kanë mbetur të pambuluar me ambasador”, - theksoi Dade gjatë një prononcimi për mediet. Sipas saj, lëvizje në nivel diplomatik nuk mund të bëhen pa një skemë të plotë dhe një zgjidhje përfundimtare të funksionimit dhe zbatimit të ligjit “Për shërbimin e jashtëm”.

Mazhoranca

Anëtarët e mazhorancës në Komisionin e Jashtëm kanë kritikuar qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar qesharak justifikimin që ata kanë përdorur duke mos marrë pjesë në mbledhje. “Mungesa e opozitës nuk më duket një gjë serioze. Jemi ende shumë larg zgjedhjeve për të paragjykuar këto emërime”, - tha Besnik Mustafaj. Ndërsa për kreun e AD-së Neritan Ceka opozita mungoi sepse nuk kishte asgjë për të thënë. Qesharak dhe të dalëboje e ka cilësuar mendësinë e kolegëve të saj politikë deputetja Përnaska. “Është vërtet për të ardhur keq që opozita mban qëndrime të tilla bojkotuese, kur në komision prezantohet kandidatura si ato që u prezantuan sot. Kjo lloj mendësie e opozitës është sa e vjetër, aq dhe e dalëboje, sepse një shtet i konsoliduar funksionon në çdo kohë, pavarësisht zhvillimeve brenda vendit. Arsyetimi i tyre ishte thjesht një pretekst”, - tha ajo.

Arta Dade

“Qëndrimi parimor nuk ka të bëjë me emrat se cilët janë avancuar në Komisionin e Jashtëm si kandidatura për ambasador. Këtë shqetësim do ta ndajmë me Presidentin e Republikës, i cili është autoriteti që do të bëjë dekretimin e tyre. E vlerësojmë qëndrimin e tij në rastet kur nuk ka gjykuar se ndonjë kandidat për ambasador nuk e ka marrë dekretimin dhe sigurisht nuk i ka pasur vlerat e domosdoshme për të qenë ambasador.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›