E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pas 18 vjetësh Shqipëria nën drejtimin e një komunisti”

12/02/2009  Rama në Shkodër me vullnetarët, akuza Kryeministrit

Kryetari i PS Edi Rama zhvilloi një tjetër takim me rrjetin e vulnetarëve, kësaj radhe në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim kreu socialist nuk ka kursyer kritikat ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Sipas Ramës, ka 18 vjet që politikanët e vjetër e tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre, por sot të gjithë shqiptarët pa përjashtim moshe ndihen më shumë të varfër. “Sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë, pasi prej 4 vjetësh qeveria e Berishës nuk mbajti asnjë premtim”, - u shpreh Rama. Duke shtuar dozën e kritikave, kryetari i PS-së vuri në dukje se “askush s’mund ta parafytyronte në ditët e paharrueshme të përmbysjes së komunizmit se 18 vjet më pas shumica e papushtetshme, që ndryshoi rrjedhën e historisë duke dalë në rrugë për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa, do të ishte ende në kërkim të rrugës për të mbërritur në Europë. Askush nuk mund ta imagjionte që edhe pas 18 vjetësh Shqipëria do të ishte nën drejtimin e një komunisti”. Sipas tij, asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot. Por vizita e kryesocialistit Edi Rama në ambientet e ish-burgut të degës së brendshme të Shkodrës dhe fjala e tij para vullnetarëve të PS-së ka sjellë jo vetëm reagimin e shoqatës së të përndjekurve politikë, por edhe atë të kryetarit të degës së PD-së për Shkodrën, deputetit Astrit Bushati. Gjatë një deklarate për shtyp Bushati e vlerësoi fjalimin e Ramës të ngjashëm me atë të Enver Hoxhës që i bënte elozhe socializmit dhe shante kapitalizmin duke i qarë hallin proletariatit në Francë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›