E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, promovuesit e turizmit shqiptar në botë



Turizmi shqiptar do të promovohet në mbarë botën tani falë një marrëveshjeje të nënshkruar nga Ministria e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Diplomatët tanë të akredituar në vendet e ndryshme të botës do të jenë promovuesit e kësaj nisme. Ministria e Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre për promovimin e turizmit shqiptar në gjithë botën. Nënshkrimi i këtij memorandumi ka si qëllim forcimin e promovimit të turizmit shqiptar, nëpërmjet përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë të akredituara në vendet e tjera. Në emër të dy institucioneve nënshkruan marrëveshjen sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Nada Kallciu. Sipas Turdiut, kjo marrëveshje shërben për organizimin e takimeve, seminareve, konferencave dhe panaireve te cilat synojnë shtimin e numrit të turistëve. Në fjalën e tij pas nënshkrimit të këtij dokumenti, z. Turdiu u shpreh se memorandumi e obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme, drejtoritë përkatëse të saj si dhe përfaqësitë tona diplomatike në një numër shumë të madh vendesh brenda dhe jashtë Evropës që të bëhen aktorë të rëndësishëm në fushën e diplomacisë ekonomike, duke promovuar Shqipërinë dhe potencialet e saj turistike. Për drejtoreshën Kallciu, konkretizimi i kësaj marrëveshjeje është kompletimi i përfaqësive diplomatike me setin e ri promocional për t’i shërbyer thithjes se investitorëve të huaj dhe promovimin e imazhit të ri të Shqipërisë. Sipas Kallciut, këtë vit kanë vizituar Shqipërinë mbi 2 milionë turistë. Znj. Kallciu në emër të AKT-së shprehu mirënjohjen ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbështetjen dhe punën serioze që ajo po bën në fushën e promovimit te turizmit, në nivel ndërkombëtar, si dhe shprehu bindjen për sukses në përmbushjen e këtij qëllimi të përbashkët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›