Rizgjedhja, Kryeministri kanadez uron Berishën
Kryeministri Sali Berisha mori dje një letër urimi nga Kryeministri i Kanadasë, zoti Stephen Harper. Në këtë letër Kryeministri i Kanadasë shkruan: “Jam i kënaqur t’Ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta me rastin e vizitës në Republikën e Shqipërisë të kryetarit të Senatit të Kanadasë, Noel A. Kinsella. Unë gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për t’Ju uruar për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër i Shqipërisë në verën që kaloi”. Siç e dini, shkruan më tej ai Kanadaja mbështeti me forcë anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe unë isha shumë i lumtur dhe mirëprita hyrjen në Aleancë të Shqipërisë, në prill 2009, në samitin e Strasburg-Kehlit. Unë jam i bindur plotësisht që zgjerimi e forcon Aleancën e NATO-s dhe do të na ndihmojë në përballimin e sfidave të reja në fushën e sigurisë. Z. Harper shkruan në mesazhin e tij drejtuar z. Berisha: “Vizita në Republikën e Shqipërisë e kryetarit të Senatit dhe delegacionit të tij do të jetë një tjetër mundësi për të thelluar lidhjet që kanë dy vendet tona. Unë nënvizoj në këtë drejtim investimet domethënëse që Kanadaja ka bërë në Shqipëri në sektorin e risorseve natyrore”. Kryeministri kanadez përfundon mesazhin e urimit: “Pres me kënaqësi të vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gjetjen e mundësive të reja për të punuar së bashku në fusha me interes të përbashkët”.