Propozimi, PD-ja synon që kriza të transferohet nga Kuvendi në gjykatë
Megjithëse ende nuk e kanë depozituar në Kuvend, demokratët flasin për një draft të përgatitur prej tyre, i cili përmban 4 pika, për zgjidhjen e krizës politike. Ndërkohë që tri pikat e para janë të njohura, pasi bëjnë fjalë për ngritjen e komisionit hetimor, krijimin e një grupi prej 100 prokurorësh dhe hetimin e çdo dyshimi për manipulim, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit nga ky grup prokurorësh. Pika e katërt e propozuar nga PD-ja parashikon që për çdo mosmarrëveshje palët t’i drejtohen gjykatës. Kjo pikë nuk është propozuar më parë nga PD-ja dhe sipas burimeve, bëhet fjalë edhe për një mosmarrëveshje të vogël gjatë hetimit të zgjedhjeve, ku mund të përfshihet votimi me karta identiteti false, për mospërputhje të rezultatit të vërtetë me atë që përmban procesverbali dhe me rinumërimin e votave të një qendre votimi. Kjo pikë, sipas burime, nuk synon gjë tjetër veçse transferimin e krizës politike në dyert e gjykatave dhe sfumimin e gjithë aksionit politik të ndërmarrë prej disa muajsh nga Partia Socialiste. Katër pikat e paketës së PD-së u bënë publike një ditë më parë nga deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili shprehu bindjen se kjo paketë i jep zgjidhje krizës politike në vend. “Oferta jonë është një paketë që përmban katër elemente. Ngritjen e komisionit hetimor që të fillojë punë dhe të hetojë për të gjetur çështje për të cilat ne biem dakord. Një ekip me 100 prokurorë që t’i përkushtohet çështjes së zgjedhjeve dhe të zgjidhë çdo dyshim, çdo indicie, pavarësisht se PS-ja nuk ka ofruar. Të hetohet nga ky ekip që nuk ka kufizim në mandatin e tij, mund të hapë çdo kuti. PS-ja të hartojë të gjitha rekomandimet për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Dhe, elementi i katërt; për çështje që nuk bihet dakord, si çdo qytetar tjetër kur ka konflikt me partnerin e tij në biznes, shkon në gjykatë dhe i zgjidh në mënyrë të qytetëruar”, - është shprehur Bumçi. Për deputetin e PD-së kjo paketë është mënyra që PS-ja të dalë me dinjitet nga situata ku është futur. “Kjo paketë me këto katër oferta i jep zgjidhje krizës dhe askush nuk del me kokën ulur”, - është shprehur Bumçi.
10 Maj 2010