E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët votohen pa opozitën në Kuvend

 

Tre kandidaturat për ambasadorë në Serbi, Portugali dhe në Gjermani votohen pa opozitën në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Kandidaturat e Shpëtim Çaushit, Valter Ibrahimit dhe Edmond Trakos si ambasadorë të ardhshëm në Serbi, Gjermani dhe për herë të parë në Portugali u kaluan pa probleme në Komisionin e Jashtëm. I vetmi përfaqësues i opozitës, Petro Koçi, ka dhënë konsensusin e emrave, duke theksuar se “i vlerëson kandidaturat, por shprehet se kjo të mos jetë e qëllimshme”. Deputetët e PD-së, Zogaj dhe Mustafaj kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mungesën e opozitës, duke e cilësuar si jo të argumentuar. “Mungesa e opozitës nuk më duket një gjë serioze, jemi ende shume larg zgjedhjeve për të paragjykuar këto emërime”, tha Besnik Mustafaj. Ndërsa Ceka u shpreh se “opozita vjen vetëm kur ka për të thënë diçka. Ajo s’ka ardhur se s’ka asnjë gjë ç’të thotë, në kuptimin e opozitës socialiste, edhe ish- socialiste”. Ndërsa Arta Dade duke sqaruar mungesën e PS-së u shpreh se, “ne kemi kundërshtitë tona lidhur me lëvizje të pajustifikuara dhe në nivel ambasadorësh në prag zgjedhjesh”. “I takon Kryeministrit të ri që do të marrë mandatin për katërvjeçarin e ardhshëm, që të rikonsiderojë këto emërime në emergjencë, pa folur për emrat përkatës, ndoshta edhe për njërin prej tyre kemi rezervë, që do ta shprehim me Presidentin e Republikës”, deklaroi Dade. Ajo shprehu kontestime prej kandidaturave aktuale duke mos përmendur emra konkretë. Ndërkohë javën tjetër komisioni do të shqyrtojë propozimin për ambasador në Moskë, ku Sokol Gjoka është i propozuar nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›