Skela e driblon shiritin e kapitenit, mendon për fitoren
Nga Malta/ Arben Lufi
Gjatë stërvitjes së lojtarëve, bien menjëherë në sy shtatlarti Bogdani, i fuqishmi Dallku apo eleganti Skela. Ky i fundit është shumë i matur në lojë, po aq sa është edhe i sjellshëm kur a takon. Në stërvitjen e djeshme ai ishte shumë aktiv edhe në komunikim: udhëzon shokët dhe i nxit ata të shfrytëzojnë një pasimet që marrin. I pyetur nga “Panorama Sport”, pas stërvitjes, në lidhje me shiritin e kapitenit, fantazisti i kombëtares shqiptare kërkon të evitojë ndonjë të nxituar dhe shprehet se ende nuk e di nëse do të jetë ai kapiteni i kuqezinjve nesër ndaj Maltës. “Nuk jam i sigurt nëse trajneri do më besojë këtë përgjegjësi, por nëse do jetë kështu, do mundohem ta justifikoj 100 për qind, siç bëra edhe ndaj Azerbajxhanit”, ka thënë Skela. Mesfushori vlonjat është i kënaqur për formën e ekipit dhe është i bindur se Shqipëria mund të marrë tri pikët në takimin e radhës. “Nga lojtarët që kemi këtu nuk ka të dëmtuar. Të gjithë janë të mobilizuar e të motivuar mirë për ndeshjen e së mërkurës”, shton ai. Skela nuk e fsheh objektivin e tij. Ai dëshiron me çdo kusht fitoren, pasi vetëm ajo kënaq skuadrën, por sidomos tifozët e shumtë të përfaqësueses tonë. “Luajmë në Maltë, por ne duhet të fitojmë. Duhet të marrim patjetër tre pikët”, pohon i vendosur fantazisti. Më pas ai largohet duke përshëndetur, çka nuk është shumë e zakonshme mes lojtarëve të kalibrit të tij. Në anë të fushës takojmë edhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Kur pyetet se ç’mendon për ndeshjen, ai e ka gati përgjigjen: “E rëndësishme është që të marrim pikë. Dihet se Malta nuk ka asnjë dëshirë të qëndrojë në fund të grupit pa asnjë pikë. Do jetë ndeshje e vështirë”. Drejtuesi i institucionit të futbollit shqiptar është i kënaqur nga harmonia e lojtarëve duke e përshkruar moralin e skuadrës si shumë të mirë dhe formën fizike të kënaqshme. Megjithatë, për Dukën, Shqipëria nuk e ka luksin që të zëvendësojë pa probleme lojtarë të rëndësishëm si Cana apo Lala. Duket se për atë, mungesat në formacion përbejnë vërtetë shqetësim. Biseda vazhdon për formën e Beqajt dhe teksa thotë: “Është në pikëpyetje të madhe nëse ai do jetë në portë, por të presim edhe stërvitjen e nesërme”.