E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, Shqipëri- Kroaci pa viza brenda vitit 2009

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria dhe Kroacia do të heqin sistemin e vizave mes tyre brenda këtij viti. Lajmi u bë i ditur në takimin mes kryeministrin Ivo Sanader dhe homologut të tij, Sali Berisha, gjatë vizitës dy ditore të këtij të fundit në Zagreb. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave “të dy personalitetet theksuan se kishin rënë dakord që të punojnë së bashku për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes dy vendeve, brenda vitit 2009, duke shprehur angazhimin e plotë për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe Kroacisë”. Lidhur me procesin e integrimit në BE, kryeministri Berisha tha se Tirana zyrtare po bën përpjekje për të përmbushur detyrimet e saj dhe për të përmbushur standardet dhe qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit brenda Presidencës çeke të BE-së. Një tjetër temë diskutimi ishte edhe ajo e ndërtimit të një centrali bërthamos. “Kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me Kryeministrin Sanader vendosëm të punojmë së bashku edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina, Maqedonia, për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. Kroacia, nënvizoi Kryeministri Berisha, ka një model shumë të mirë atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet e sotme jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”, thuhet në njoftim. Gjatë vizitës në Kroaci, kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin Stipe Mesicc dhe kryetarin e Parlamentit, Luka Bebicc. Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Presidenti kroat u shpreh se po punohet për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Presidenti Mesiæ e informoi Kryeministrin Berisha se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës trans-adriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perendimor. Kryeministri Berisha u shpreh se do të intensifikohet më tej bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të ekonomisë. Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroatë, vijoi më tej Kryeministri, duke nënvizuar uljen e taksave dhe  krijimin e një klime tepër të favorshme për biznesin”, thuhet në njoftimin për shtyp. kryeministri Berisha zhvilloi dje gjithashtu një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Kroaci. Kryeministri u shpreh se komuniteti shqiptar në Kroaci gëzon respektin e popullit dhe qeverisë kroate. Kreu i qeverisë paraqiti para komunitetit shqiptar reformat e ndërmarra nga qeveria dhe me rezultatet që kanë dhënë këto reforma në luftën kundër korrupsionit, informalitetit, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investimet e huaja, rritjen investimeve në infrastrukturën e vendit, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›