E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushan Fitzel: Shqipëria është shumë holandeze

 

Nga Malta/ Arben Lufi

Kështu është përkufizuar ajo që ka ndodhur aktualisht me ekipin shqiptar në këto katër ndeshjet e fundit në Grupin 1 të eliminatoreve për Botërorin 2010. Në përgjithësi, përshtypja e mediave malteze ndaj futbollit shqiptar është krejt e ndryshuar në prag të këtij takimi. Shumë gazetarë e komentatorë sportivë maltezë kanë vlerësuar faktin se në katër takime Shqipëria ka aq pikë sa Portugalia, ndërkohë që edhe humbja në Hungari është quajtur ‘e pamerituar’. Merita për këtë paraqitje të Shqipërisë i është dhënë trajnerit holandez Ari Han, i cili ka sjellë tek ekipi shqiptar, në fjalët mënyrën holandeze të lojës. Këtë e pohon edhe trajneri i përfaqësueses së Maltës, Dushan Fitzel, i cili në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, ka thënë se i druhet karakterit dhe grintës së shqiptarëve. Megjithatë, ai ka pohuar se ekipi që drejton do të bëjë të pamundurën që të marrë pikë ndaj Shqipërisë.
Sa besim keni te forma aktuale e ekipit maltez?
Ndihem shumë i kënaqur dhe do të doja që këtë besim të mund ta përcjell tek lojtarët. Kemi punuar shumë këto kohët e fundit, sidomos me përkrahjen e lojtarëve të rinj në skuadër. Në këtë ekip, sot për shembull, gjenden vetëm nëntë nga 21 lojtarët me të cilët e fillova punën këtu. Shpresoj shumë tek ata.
Shqipëria ka tre mungesa të rëndësishme në formacion: Lalën, Canën dhe shpresën e futbollit shqiptar, Hykën. A do ndikojnë mungesat e tyre në këtë sfidë?
Shiko, nuk më pëlqen kur ju gazetarët vini kaq shumë theksin te titullarët që mungojnë. Për çdo titullar që mungon trajneri duhet të thërrasë një lojtar të ri e ky i fundit, duke qenë se i jepet shansi i artë për të treguar veten do të kërkojë ta mbajë vendin e titullarit dhe mund të japë më shuam se sa ai titullari që ju përmendni kaq shumë. Pra, unë nuk bazohem tek mungesat, sepse të rinjtë e aktivizuar shpesh tregohen edhe me të dobishëm.
Ndaj Shqipërisë do luani lojë sulmuese, apo jo?
Është mundësia jonë për të marrë pikë dhe për këtë do i bëjmë të gjitha përpjekjet. Po të vëreni lojën ndaj Ferencvaroshit, bindeni se ajo që po aplikojmë tani 4–1–4–1 ecën mirë me lojtarët që kam. Të shohim ndaj Shqipërisë.
Sulmuesit tuaj, Majkëll Mifsud dhe Terens Sherri luajnë pak a shumë në të njëjtin pozicion. Do lihet njëri prej tyre jashtë?
Nuk besoj. Cilësitë e Terens Sherrit janë ato që unë kërkoj për këtë ekip në sulm. Përsa i përket Majkëll Mifsudit, ai është pjesë e skuadrës dhe do përpiqemi ta ambientojmë ndoshta në një rol të ri.
Sa e njihni Shqipërinë e së mërkurës?
Sapo kam parë edhe dy video të tjera të ndeshjeve të fundit që kanë bërë. Ata janë përmirësuar shumë. Kanë bërë një pjesë të parë jashtëzakonisht të mirë kundër Azerbajxhanit. Edhe ata luajnë 4–1–4-1 dhe kanë mbrojtje shumë të mirë. Me ekipin shqiptar sot mund të vesh re mënyrën e lojës holandeze: ata janë mjaft të lirshëm kur e qarkullojnë topin në sulm dhe bëhen agresivë e kërkues kur e humbasin. Natyrisht, ne kërkojmë edhe anët negative, p.sh. po të arrish t’u kalosh në prapavijë mund të gjesh pika të dobëta dhe këto do përpiqemi ti shfrytëzojmë.

Vetëm 4 fitore në histori
Fitoren e fundit përfaqësuesja e Maltës e ka arritur më 11 tetor 2006 kundër Hungarisë (2-1) në eliminatoret për Euro 2008. Kjo fitore ishte e para pas 13 viteve. Më 1993 kishin fituar kundër Estonisë (1-0) në përballjen e vlefshme për Kupën e Botës. Malta në total numëron vetëm katër fitore në ndeshjet e karakterit zyrtar në histori të futbollit. Më 1975 ata kishin mundur Greqinë, ndërsa më 1982, Islandën, të dyja të vlefshme për kualifikimet e evropianëve. Për eliminatoret e Euro 2008 kanë frenuar me barazim Moldavinë dhe Turqinë e drejtuar nga Fatih Terim. Në Grupin 1, Malta ka regjistruar vetëm humbje në 4 ndeshje. Ajo që mbahet mend për mirë është fitorja (7-1) kundër Lihtenshtejnit në miqësoren e 2008-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›