Debatik Curri është i bindur: Këtë herë do të fitojë Shqipëria
Kapiteni Altin Lala dhe zv.kapiteni, Lorik Cana nuk u thirrën për shkak të dëmtimeve, dhe Han, preferoi mbrojtësin e majtë të Vorskla Poltavës për thyer ofensivën malteze. “Trajneri Han më rreshtoi në mesfushë në rolin e Lorikut, - tha për “Albania-sport.com” nga Malta, Debatik Curri. “Për të thënë të vërtetën u ndjeva shumë mirë. Ndoshta mund të luaj aty edhe gjatë ndeshjes, por ende nuk është vendosur”, - shtoi kosovari, i cili edhe në ndeshjen e parë të tij me fanellën e Shqipërisë kishte luajtur po në këtë rol. “Në fakt, për mua nuk është e re të luaj në këtë rol, pasi e kam bërë edhe në ndeshjen kundër Gjeorgjisë (0-0) në Tiranë, kur trajneri Hans Peter Brigel më thirri për herë të parë”, - theksoi Debatiku, i cili edhe në ndeshjen miqësore ndaj Lihtenshtejnit luajti për disa minuta në këtë rol. Curri flet edhe për atmosferën që ekziston brenda skuadrës dhe mënyrën sesi po e përjetojnë lojtarët prag-ndeshjen kundër Maltës. “Thuajse në të gjitha bisedat që bëjmë midis nesh kemi folur për kujdes gjatë ndeshjes kundër Maltës, por nuk kemi pse ta fshehim se jemi optimistë, pavarësisht se është fusha dhe ndeshja ajo që do ta tregojë të vërtetën. Ajo që është më e rëndësishme është fakti, që të gjithë besojnë te fitorja”, - shtoi Curri, i cili kulmin e tij me Kombëtaren e ka me golin historik kundër Holandës, i vetmi që ka shënuar Shqipëria në katër takime kundër “tulipanëve”. Orët nga fillimi i ndeshjes janë në numërimin mbrapsht dhe emocionet janë shtuar edhe te Debatiku, por dhe të Dallku, shoku i dhomës së tij, por dhe shok skuadre te Vorskla. “Të dy kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë në Antalia. Zhvilluam atje katër ndeshje miqësore. Nuk mund të them për vete se jam në 100 për qind të kondicionit fizik, por i kam forcat për të dhënë 200 për qind në këtë ndeshje. Edhe Dallku, po ashtu. Dua të ritheksoj, se asnjë rezultat përveç fitores nuk na shkon ndërmend. Duam të tregojmë futboll të mirë, por dhe të fitojmë. Malta nuk i ka marrë asnjë pikë kundërshtarëve të tjerë, pse duhet ta lejojmë ne ta na marrë pikë?”.