Rama: PS do bëjë realitet lëvizjen e lirë pa viza në Evropë
Kryetari socialist vijoi takimet e tij me vullnetarët e PS-së në qytetin e Rrogozhinës dhe Pukës. Gjatë këtyre takimeve, kreu socialist bëri dhe premtime ndaj të rinjve. “Ne do t’i japim dinjitet shtetit tonë dhe liri lëvizjeje pa viza e kontrolle diskriminuese nëpër kufijtë e Europës të gjithë shtetasve shqiptarë, në radhë të parë të rinjve e të rejave që sot kanë më pak të drejta daljeje nga vendi ynë se ç’kanë bashkëmoshatarët e tyre koreano-veriorë”, tha Rama. Ai i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit si fitore të gjeneratës së re, duke lënë pas politikën e urrejtjes. “Në 28 qershor fitorja do t’i përkasë brezit të ri, duke u ndarë njëherë e përgjithmonë nga politika e vjetër e urrejtjes”, tha Rama. Kreu socialist ka nënvizuar se është koha për të lënë pas politikën e urrejtjes, që thellon çdo ditë plagët e shqiptarëve. Duke e cilësuar këtë moment si me përgjegjësi historike për të gjithë, Rama tha se në qershor do të vendoset fati i gjeneratës së re. Vullnetarët e Partisë Socialiste janë të rinj dhe të reja të paangazhuar në forumet socialiste, por që kanë dëshirë të jenë pjesë e njerëzve që do të përçojnë frymën e ndryshimit në çdo cep të vendit. Duke folur për reformën në arsim, Rama tha se “ne do t’i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për nxënësit e studentët, jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, po duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj”. r.d