Matura, datat e plotësimit të formularëve A1 dhe A2
zirina llambro
Në rregulloren e Maturës Shtetërore janë përcaktuar dhe afatet për plotësimin e formularëve A1 dhe A2 nga maturantët. Me të parin ata do të përcaktojnë lëndët me zgjedhje, për të cilat do të japin provimet ndërsa tek A2 do të rendisin degët e universiteteve ku dëshirojnë të studiojnë. “Çdo nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, pavarësisht nëse jep apo jo provimin me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon formularin A1 në shkollën ku ai mëson, brenda datës 10 mars”, thuhet në rregullore. Ky formular pritet të miratohet sot nga MASH e të shpërndahet më tej në Drejtoritë Arsimore. Mësuesit e shkollave do të marrin edhe udhëzuesit, në mënyrë që të ndihmojnë nxënësit në plotësimin e tyre. Ndërkaq brenda datës 1 prill do të miratohet Formulari A2, ku përfshihen të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku ata dëshirojnë të studiojnë. ”Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2, brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në shkollë”, përcakton rregullorja e re. Ndërkaq të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet të japin dy provimet me zgjedhje. “Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme, OSE, Drejtoritë Arsimore Rajonale, ku ka figuruar shkolla e mesme, në rastin kur shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur”, sqaron MASH. Çdo nxënës që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë dëftesën e pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Ai sipas rregullores duhet të plotësojë dhe dorëzojë formularin A1 në shkollën ku e cakton KMSH i DAR-it dhe ZA-së përkatëse, pasi ka paraqitur tek ato një sërë dokumentesh që janë të përcaktuara.
Maturantët e 3 viteve të fundit
Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007;2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto
raste ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave
të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.
Penalizimet,1 vit pa shkollë kush kapet me kopje
Një vit pa shkollë nëse kapen me kopje. Gjithashtu përjashtim direkt nga provimi në rast se thyen rregullat e Maturës Shtetërore. Këto do të jenë penalizimet për maturantët. Në rregullore janë renditur qartazi detyrat e tyre gjatë dhënies së provimeve me detyrim dhe atyre me zgjedhje. ”Maturanti përjashtohet e nuk i njihen rezultatet, në rast se ditën e provimit nuk është i pajisur me dokument identifikimi, nuk qëndron në vendin që i caktohet, përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër”, thuhet në rregullore. I njëjti penalizim vlen edhe kur kandidati bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, Merr ose jep kopje apo komunikon me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit “Nga provimi përjashtohet edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu. Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve”, kanë vendosur specialistët e MASH. Gjithashtu duhet zbatuar procesi i sekretimit dhe maturantët nuk duhet të largohen më parë. Ata duhet të bëjnë kujdes që të mos heqin, shkruajnë ose dëmtojnë kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test apo testin vetë duke e (palosur, zhubrosur, grisur apo mosedorëzuar. ”Në rast se kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit”, thuhet në rregullore. Por maturantët gjatë dhënies së provimit kanë edhe të drejtat e tyre. Në rast se ata vërejnë ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit. Nxënësve maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, veçohen në një mjedis të përshtatshëm. Këtyre personave u caktohet një person për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste do të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve.
Del rregullorja, këtë vit italishtja lëndë me zgjedhje
zirina llambro
Ministria e Arsimit publikon rregulloren e Maturës Shtetërore.
Që nga procesi i plotësimit të formularëve e deri te vlerësimi i testeve, janë përmbledhur në dokumentin e rëndësishëm. Gazeta publikon rregulloren e re. Këtë vit, nga 9 lëndë me zgjedhje, është vendosur të shtohet edhe italishtja. Kjo do t’i lehtësojë jo pak maturantët, duke ditur që njohuritë për këtë gjuhë në vendin tonë janë në nivel të lartë nga pjesa më e madhe e popullsisë. “Shtimi i gjuhës italiane si lëndë me zgjedhje është bërë në radhë të parë për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve që do të nisin universitetin, por edhe për të testuar realisht njohuritë e tyre”, sqaruan burime pranë Ministrisë së Arsimit. Me këtë ndryshim brenda listës së lëndëve me zgjedhje janë tashmë edhe gjuha angleze, frengjisht dhe italisht, ku maturantët do të mund të zgjedhin vetëm një gjuhë nga tre të mundshme. Një tjetër ndryshim favorizues për kandidatët është njohja e rezultateve të provimeve me zgjedhje. Ndryshe nga viti i kaluar, të gjithë ata kandidatë që i kanë dhënë njëherë këto provime, por nuk kanë fituar një shkollë të lartë të lartë, do të aplikojnë sërish me to. ”Këto rezultate do të njihen dhe kjo kategori nxënësish do të plotësojë vetëm formularin A2, ku përzgjidhen degët e universiteteve”, sqaroi Ministria e Arsimit. Ndërkaq rregullorja e re këtë vit u njeh maturantëve edhe të drejtën e ankimit, ku nxënësve do t’u vihen në dispozicion 4 ditë për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. Ndërsa provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë, nuk kanë pësuar ndryshime, ku çdo test do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Ndërkaq brenda afateve të caktuara, maturantët duhet të bëjnë përzgjedhjen e tyre, qoftë për këto lëndë, qoftë për degët e shkollave të larta, ku duan të konkurrojnë. Në këtë fazë fituesit do të zgjidhen sipas parimit të meritë preferencës, ku pikët do të jenë vendimtare.
lendet me zgjedhje
Italisht
Fizikë
Kimi
Biologji
Anglisht
Frengjisht
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe filozofinë