E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sakrifikohet” për një vend pune

18/12/2008  Një grua rreth 30 vjeçe e paidentifikuar u hodh nga kati i pestë dhe gjeti vdekjen

Dëshmitarët e kishin parë me një gazetë në dorë pranë Librit Universitar

TIRANE- Një femër e moshës deri në 30 vjeç, ende e paidentifikuar nga policia, u hodh nga ballkoni mesditën e djeshme për motive që vazhdojnë të mbeten jo plotësisht të qarta. Ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, po nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të mara. Mësohet se 30-vjeçarja është hedhur nga kati i pestë i një pallati që ndodhet pranë Librit Universitar, ndërkohë që policia i ka gjetur në trup një gazetë, ku ajo kishte shënuar disa vende për të aplikuar për punë. Mësohet se aktin fatal, policisë ja kanë komunikuar në telefon disa persona, të cilët ishin të pranishëm në rrugën “Abdyl Frashëri”. Menjëherë pasi kanë parë 30-vjeçaren të përplaset me tokën, ata i janë afruar asaj në mënyrë që t’i japin ndihmën e parë. Sipas dëshmitarëve okularë, gruaja në momentet e para ishte ende gjallë, megjithëse kishte marrë disa plagë në kraharor dhe kokë. Pas këtij konstatimi është lajmëruar menjëherë policia e kryeqytetit, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes së bashku me një grup hetimor, i cili aktualisht po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që sollën vetëvrasjen e 30-vjeçares ende të paidentifikuar. Në vendin e ngjarjes dëshmitarët i kanë shpjeguar policisë se femra nuk është banore e pallatit dhe nuk ishte as e njohur në lagje. Pasi janë njohur me këto të dhëna, agjentëve të policisë u ka mbetur si provë e vetme një gazetë, e cila është gjetur në trupin e viktimës. Për zbardhjen e çështjes dhe identifikimin e viktimës efektivët e policisë kanë pyetur disa shtetas të bizneseve përqark, por askush nuk ka konfirmuar ta kishte parë atë duke kërkuar punë pranë zyrave të tyre. Misterin e arsyeve për vetëvrasjen e ka shtuar më shumë fakti që viktima është e paidentifikuar, sepse sipas policisë nëse do të dihej identiteti i saj do të mësoheshin shumë shpejt edhe shkaqet që e kanë shtyrë të marrë vendimin fatal. 30-vjeçarja sipas dëshmitarëve ishte e veshur keq, çka do të thotë se ajo ndodhej në vështirësi ekonomike e kështu mbetet pista se ajo kërkonte punë në atë zonë. Sipas policisë, pamundësia për gjetjen e një pune si dhe vështirësia ekonomike, mund të jenë faktorët kryesorë të këtij akti. Gjithsesi uniformat blu nuk i qëndrojnë 100 për qind kësaj piste, por për arsye se viktima nuk është identifikuar ende, ekspertët hetimorë nuk mund të ngrenë asnjë dyshim tjetër. Madje për identifikimin e viktimës Drejtoria e Policisë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur dhënien e informacionit për identifikimin e kësaj shtetaseje. Për çdo informacion qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 129 ose të paraqiten në komisariatin nr. 2.

Të dhënat e viktimës

Për identifikimin e viktimës policia ka bërë publike këto të dhëna karakteristike të saj: Gjatësia rreth 160 cm, flokët të zeza, të gjata (deri tek supet). Mbante veshur xhinse blu, atlete të zeza, triko të zezë, një shall jeshil, xhup të zi dhe çantë të zezë. Për çdo informacion që mund të shërbejë për identifikimin e kësaj shtetaseje qytetarët mund të telefonojnë në numrin 129.

Dëshmitarët

Sipas dëshmitarëve okularë, gruaja në momentet e para ishte ende gjallë, megjithëse kishte marrë disa plagë në kraharor dhe kokë. Pas këtij konstatimi është lajmëruar menjëherë policia e kryeqytetit. Në vendin e ngjarjes dëshmitarët i kanë shpjeguar policisë se femra nuk është banore e pallatit dhe nuk ishte as e njohur në lagje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›