E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Bosh, apel shqiptarëve: “Aplikoni për karta identiteti!”



Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë u ka bërë apel të gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos hezitojnë dhe të aplikojnë sa më shpejt për t’u pajisur me karta identiteti. Këtë apel Bosh e ka bërë nga qyteti i Kukësit, pikërisht në një nga qarqet ku ritmi i aplikimeve është edhe më i ulëti krahasuar me qarqet e tjera. Ambasadori Bosh tha se të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti, pasi në këtë mënyrë ata do të kontribuojnë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje me standarde. "Vetëm duke u pajisur me karta, qytetarët do të kontribuojnë për zgjedhje me standarde", - u shpreh Bosh. Ambasadori i OSBE-së u shpreh optimist se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri do të zhvillohen të lira dhe me standarde. Ai vlerësoi gjithashtu ecurinë e procesit në të gjitha njësitë vendore.

Dule: “Glover do të ndihmojë në paanshmërinë e zgjedhjeve”

Kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, zhvilloi një takim me shefen e misionit të vëzhgimit, Glover. Takimi midis dy krerëve u zhvillua me dyer të mbyllura, në ambientet e selisë së PBDNJ-së. Pas takimit Vangjel Dule deklaroi se misioni i vëzhguesve është një garanci më e madhe për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas tij, ky mision do të jetë një shtysë më e madhe në arritjen e standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Një çështje tjetër që kreu i PBDNJ-së preku lidhej me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. PBDNJ-ja i shprehu shqetësimin e saj drejtueses së misionit të ODIHR-it për vonesat në këtë proces. “Misioni i udhëhequr nga Glover i jep procesit zgjedhor paanshmëri më të madhe dhe efektivitet më të madh procesit zgjedhor. Misioni i vëzhguesve të ODHIR-it në Shqipëri do të mundësojë zgjedhje të drejta dhe objektive”, - tha Dule.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›