E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesha në elektorat e partive të katër koalicioneve kryesore

Analiza e rezultatit në proporcional që arritën partitë politike në zgjedhjet e 2005-s. Nëse në 28 qershor përsëritet rezultati i 2005-ës, dy koalicionet e majta fitojnë zgjedhjet

Shaban Sulçe

Dje ka përfunduar afati i regjistrimit në KQZ të koalicioneve pjesëmarrëse për zgjedhjet e 28 qershorit. Katër koalicione kryesore, në përbërje të të cilave janë 28 parti politike, do të synojnë të fitojnë procesin e ardhshëm zgjedhor. Një pjesë e këtyre partive do të konkurrojnë për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri, ndërkohë që pjesa tjetër e tyre ka të paktën një eksperiencë pjesëmarrjeje në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Por cila është pesha në elektorat e këtyre partive?
Gazeta “Albania” përpiqet të zbardhë peshën elektorale të këtyre partive, duke analizuar rezultatet në proporcional të partive politike në procesin zgjedhor të 3 korrikut 2005. Duhet sqaruar se kjo është një analizë e përafërt, pasi në krahasim me zgjedhjet e 2005-s konkurrohej me sistem të përzier (maxhoritar dhe proporcional), si dhe në krahasim me ato zgjedhje, ka pasur parti që kanë ndryshuar koalicione. Ndërkohë që duhet theksuar gjithashtu se një pjesë e mirë e partive të vogla fituan një numër joreal të votave në sistemin proporcional, si rezultat i orientimit të votuesve nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, fenomen i cili njihet ndryshe edhe si “Dushku i madh”. Gjithsesi, ajo që dihet është se në zgjedhjet e 2005-s partitë e majta fituan më shumë vota, dhe nëse do të konfirmohej i njëjti rezultat edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, dy koalicionet e majta do të rezultonin fituese.

Koalicioni i PD-së
Nëse në zgjedhjet e 28 qershorit do të konfirmohej i njëjti rezultat në proporcional si ai i zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, partitë e mbledhura në koalicionin e Partisë Demokratike nuk do të shkonin më shumë se 42.78% të votave. Kështu, Partia Republikane mori në proporcional 19.96% të votave, ose 272 746 vota. (Duhet theksuar se këto vota ishin falë orientimit të PD-së). Partia Demokratike mori në proporcional 7.67% të votave, ose 104 796 vota. Po kështu, ish-aleatja e PD-së, Partia Demokrate e Re, tashmë e bashkuar në një parti të vetme me PD-në, mori 7.42%, ose 101 373 vota. Aleatët e tjerë të PD-së në këto zgjedhje (disa falë Dushkut dhe disa jo) arritën në zgjedhjet e vitit 2005, përkatësisht këto rezultate: Partia Balli Kombëtar 1.68%, ose 22.896 vota, PDI-ja 1.17%, ose 16 012 vota, PBLD 1.06%, ose 14 418 vota, Partia Balli Kombëtar Demokrat 0.56%, ose 7 632 vota. Votat e marra nga dy partitë, PAA dhe PAD, të cilat aktualisht janë aleate të PD-së, nuk mund të merren në analizë, pasi në zgjedhjet e 2005-s ato ishin aleate të Partisë Socialiste dhe përfituan falë orientimit të PS-së. Por duhet marrë gjithashtu në konsideratë edhe rezultati i PDK-së që në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 drejtohej nga Nikollë Lesi, e cila falë bashkëpunimit me PD-në (edhe pse në një nivel të ulët) fitoi 3.26%, ose 44.576 vota. Duke mos llogaritur votat e këtyre tri partive të fundit, partitë aleate të koalicionit të PD-së fituan në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 në proporcional 539 873 vota.

Koalicioni i PS-së

Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, koalicioni i Partisë Socialiste mori 41.33% të votave. Kështu, Partia Social-Demokrate (falë sistemit të Dushkut) mori 174 103 vota, ose 12.74%. Partia Socialisti në proporcional fitoi 121 412 vota, ose 8.89%. Partia Demokracia Sociale (falë sistemit të Dushkut) fitoi 57 998 vota, ose 4.25%, ndërsa PBDNJ-ja (edhe atëherë aleate e PS-së) fitoi në proporcional 56 403 vota, ose 4.13%. Ndërkaq, në ato zgjedhje, dy ish-aleatet e PS-së, edhe pse me fenomenin e Dushkut, agrarët e Xhuvelit morën 6.56%, ose 89 635 vota dhe Aleanca Demokratike e Neritan Cekës mori 4.76%, ose 65 093 vota. Numri total i votave që fitoi koalicioni i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 ishte 564 644 vota, pra një numër më i lartë se koalicioni i Partisë Demokratike. Përsa u përket zgjedhjeve të vitit 2009, në koalicionin e PS-së rikonfirmohen partitë PSD, PDS dhe PBDNJ. Ndërkaq, PAA dhe PAD janë në koalicionin e Partisë Demokratike, por në koalicionin e PS-së bën pjesë edhe një forcë politike që konkurron për herë të parë në zgjedhje, G99-a.

Koalicioni i LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim konkurroi e vetme në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Ajo fitoi në proporcional e vetme 114 798 vota, ose 8.4%. Në zgjedhjet e vitit 2009, LSI-ja do të marrë pjesë në një koalicion të udhëhequr prej saj, ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe 5 parti të tjera aleate. Katër prej tyre konkurrojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare. Këto parti janë, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partia Toleranca e Re, Partia e Gjelbër dhe Partia Socialiste e Vërtetë 1991. Kjo e fundit konsiderohet si aleatja më e afërt e LSI-së dhe kuotohet si një prej forcave politike që mund të marrë një rezultat surprizë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duhet theksuar se Partia e Gjelbër ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale 2007, ku arriti të fitojë në proporcional 1481 vota, ose 0.11%. Ndërkaq, aleatja tjetër e LSI-së, Partia Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Ligoraq Karamelo, fitoi 9027 vota, ose 0.66%.

Koalicioni “Poli i lirisë”
3 prej partive që bëjnë pjesë në koalicionin “Poli i lirisë”, të drejtuar nga Aleksandër Meksi, kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Në atë kohë, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi, fitoi 47 967 vota, ose 3.51%. Por duhet theksuar se në atë kohë, LZHK-ja ishte në aleancë me Partinë Lëvizja e Legalitetit, e cila në këto zgjedhje është aleate e Partisë Demokratike. Ndërkaq, Partia Demokristiane, që në atë kohë drejtohej nga Nikollë Lesi dhe bashkëpunoi me PD-në, fitoi 3.26%, ose 44.576 vota. Ndërsa Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, e drejtuar nga Ylber Valteri, fitoi 7371 vota, ose 0.54%.
Rezultati në total i këtyre partive ishte 99 914 vota, ose 7.31%.
Tri partitë e tjera, Partia Konservatore, Partia “Rruga e lirisë” dhe Partia e Reformave Demokratike, nuk morën pjesë në ato zgjedhje.

Partitë pjesëmarrëse të katër koalicioneve kryesore

Koalicioni i Partisë Demokratike
Numri i partive pjesëmarrëse: 11
Forca kryesore: Partia Demokratike
Drejtuesi i koalicionit: Sali Berisha
Numri i votave në proporcional në 2005: 539 873 vota
Përqindja në proporcional në 2005 42.78%
Vota Përqindja
1-Partia Demokratike+PDR 206169, 15.09%
2-Partia Republikane 272746, 19.96%
3-Partia Balli Kombëtar 22896 1.68%
4-Partia për Drejtësi dhe Integrim 16012, 1.17%
5-Partia Bashkimi Liberal Demokrat 14418 1.06%
6-Partia Balli Kombëtar Demokrat 7632 0.56%
7-Partia Agrare Ambientaliste 89635, 6.56 ???
8-Partia Aleanca Demokratike 65093 4.76% ??
9-Partia Lëvizja e Legalitetit ????
10-Partia Demokristiane A.Gurakuqi s’ishte krijuar
11-Partia Lidhja Demokristiane s’ishte krijuar

Koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”
Numri i partive pjesëmarrëse: 5
Forca kryesore: Partia Socialiste
Drejtuesi i koalicionit: Edi Rama
Numri i votave në proporcional në 2005 564 644
Përqindja në proporcional 41.33%
1-Partia Socialiste 121412 8.89%
2-Partia Social-Demokrate 174103 12.74%
3-Partia Demokracia Sociale 57998 4.25%
4-PBDNJ 56 403 4.13%
5-Partia G99 s’ishte krijuar

Koalicioni “Aleanca socialiste për integrim”
Numri i partive pjesëmarrëse: 6
Forca kryesore: LSI
Drejtuesi i koalicionit: Ilir Meta
Numri i votave në proporcional 125306
Përqindja në proporcional 9.17%
1-Lëvizja Socialiste për Integrim 114798 8.4%
2-Lëvizja për Liritë dhe Drejtat e Njeriut 9027 0.66%.
3-Partia e Gjelbër (Zgjedhjet 2007) 1481 0.11%.
4-Partia Socialiste e Vërtetë 1991 s’ishte krijuar
5-Partia për të Drejtat e Emigrantëve s’ishte krijuar
6-Partia Toleranca e re s’ishte krijuar

Koalicioni “Poli i lirisë”
Numri i partive pjesëmarrëse: 6
Forca kryesore: PDK dhe LZHK
Drejtuesi i koalicionit: Aleksandër Meksi
Numri i votave në proporcional 99 914
Përqindja në proporcional 7.31%.
1-Partia Demokristiane 44.576 3.26% ??
2-Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 47 967 3.51%.
3-Partia Bashkimi Demokrat 7371 0.54%.
5-Partia “Rruga e Lirisë” s’ishte krijuar
6-Partia e Reformave Demokratike s’ishte krijuar
3-Partia Konservatore ?

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›