E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, vetëm 38% e shtetasve pa pasaportë kanë aplikuar për karta

Qarku i Kukësit mbetet më problematiku, kanë aplikuar vetëm 9.5%. Në 13 komuna të vendit procesi i aplikimit nuk ka nisur ende

Shaban Sulçe
Situata e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti vazhdon të mbetet e zymtë dhe problematike, duke u shndërruar kështu në një rrezik serioz për zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Të dhënat që disponon selia rozë flasin për një përqindje mjaft të ulët të shtetasve pa pasaportë, të cilët kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti. Sipas të dhënave të mbledhura nga Partia Socialiste në terren rezulton se vetëm 38% e shtetasve pa pasaportë kanë aplikuar, ndërkohë që janë raportuar probleme dhe pengesa të shumta në zyrat e aplikimit ndaj qytetarëve që duan të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti. Problematike shfaqet gjithashtu situata në mjaft komuna të vendit. Në më shumë se 13 komuna rezulton se procesi i aplikimit nuk ka nisur ende, duke u mohuar kështu mijëra personave pa pasaportë të drejtën për t’u pajisur me karta identiteti.

Aplikimet
Nga të dhënat që disponon Partia Socialiste rezulton se vetëm 38% të shtetasve pa pasaportë, në shkallë vendi, kanë mundur të aplikojnë deri tani për karta identiteti. Thënë në gjuhën e shifrave, nga 700 mijë shtetas pa pasaportë, vetëm 250 mijë prej tyre kanë aplikuar, ndërkohë që nisur nga problematika e procesit më shumë se 300 mijë votues rrezikojnë të mbeten pa kartë identiteti dhe automatikisht pa të drejtën kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas këtyre të dhënave, në katër qarqe, aplikimet janë në shifrën 30%, ndërkohë që qarku i Kukësit rezulton më problematiku, pasi ka nivelin më të ulët të aplikimeve, nivel i cili është 9.5%. Gjithashtu bëhet e ditur se në 16 rrethe të vendit aplikimi i shtetasve pa pasaportë nuk është më shumë se 30%.

Procesi
Situata shfaqet mjaft problematike në zonat rurale, aty ku procesi i pajisjes së shtetasve me karta identitetit po çalon ndjeshëm. Kështu, rezulton se në 13 komuna të vendit procesi i aplikimit nuk ka nisur ende, ndërkohë që po ngushtohet gjithnjë e më tepër afati nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këto 13 komuna, më shumë se 20 mijë shtetasve pa pasaportë po u mohohet e drejta për të aplikuar.
Ritmet e aplikimit janë shumë të ulëta në 68 komuna të tjera të vendit. Në këto komuna numri i aplikimeve është më pak se 10 të tilla dhe kjo ka ndodhur për shkak të problemeve të theksuara, si mungesa e internetit, defekteve teknike etj. Siç bëhet e ditur, në raportin e Partisë Socialiste rezulton se edhe vendimi më i fundit i qeverisë për reduktimin në 200 lekë të tarifës së aplikimit nuk po rezulton inkurajues. 10 ditë nga marrja e këtij vendimi rezultati nuk duket frytdhënës, pasi vetëm 6.2% e shtetasve pa pasaportë kanë mundur të aplikojnë deri tani. Thënë në gjuhën e shifrave, deri tani kanë aplikuar 44 970 shtetas. Ky numër i ulët është edhe për shkak se në shumë qendra postare, vendimi i qeverisë është zbatuar me vonesë dhe qytetarëve u është kërkuar që të paguajnë shumën fillestare prej 1200 lekësh. Një tjetër problem ka të bëjë me faktin se qytetarët pa pasaportë, të cilët nuk kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme, u janë kërkuar dokumente shtesë, duke penguar kështu aplikimin e tyre.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›