E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Rrogozhinë: “Do të qeverisim për interesin e familjes së madhe shqiptare”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar dje ma banorët e qytetit të Rrogozhinës, ku ai ka shpalosur programin qeverisës të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama ka atakuar kryeministrin për demagogji dhe padituri në lidhje me atë çka ofron qeveria e tij për familjet në nevojë, duke anatemuar një prej vendimeve të qeverisë, të miratuar dje paradite. Bëhet fjalë për vendimin e qeverisë për libra falas për familjet me ndihmë ekonomike. “Dhënia e librave me skemën jofunksionale të rimbursimit ka bërë që të shtohet analfabetizmi dhe numri i atyre që braktisin shkollën për shkak të pamundësisë për të blerë libra. Kjo është e pafalshme. Është tronditëse që kryeministri i vendit, në fund të mandatit të tij, nuk e dinte se abetaret dhe librat e shkollës qeveria ua shiste fëmijëve. Për këtë, fëmijë të varfër të këtij vendi nuk shkonin dot në shkollë. Duke mos e ditur e akuzonte opozitën se gënjen dhe thoshte me të madhe se librat jepeshin falas. Ja ku doli dhe tha se me një vendim të qeverisë, librat do të jepen falas. Sali Berisha qëndron i mbyllur në kutinë e televizorit, nga ku premton gjëra që as që ka ndër mend t’i mbajë qysh se i thotë dhe jo më që nuk i mban dot edhe sikur të përpiqet”, - tha Rama. Ai tha se Partia Socialiste synon një qeverisje që është në interes të familjes së madhe shqiptare, dhe jo për interesa familjesh të vogla.
“Sali Berisha qeveris vetëm për një pakicë njerëzish. Qeveris duke u nisur nga interesat e familjes së tij dhe duke mos parë interesat e familjes së madhe shqiptare, e cila sot gjendet padrejtësisht larg Europës, ku ne të gjithë duam të bëjmë pjesë. Ky është dallimi mes nesh dhe atij. Për këtë dallim, ju dhe të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, do të votoni më 28 qershor ndryshimin që ne do të bëjmë realitet më 28 qershor. Ndryshimi që do të fillojë me votën e shumicës së shqiptarëve e shqiptareve pas më pak se 50 ditësh, është ndryshimi që do të vijë drejtpërdrejt në jetën e secilit prej jush. Është ndryshimi që do të hapë një faqe në historinë tonë dhe të cilën do ta shkruajmë së bashku. Një faqe e re e qeverisë së njerëzve, të qeverisjes me njerëzit dhe të qeverisjes për njerëzit”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›