E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja ndëshkon krerët e njësive vendore për shkeljen e afateve të listave



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sanksione ndaj 77 drejtuesve të njësive vendore. Kryetarët e njësive vendore u gjobitën me nga 50 mijë lekë të rinj. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se kryetarët e njësive vendore kanë shkelur Kodin Zgjedhor në lidhje me afatet e paraqitjes së listave të zgjedhësve. Ristani tha se kryetarët e komunave dhe të bashkive, edhe pas kërkesave të vazhdueshme që u është bërë nuk, kanë reaguar. Sipas Nenit 26 të Kodit Zgjedhor, në rast se subjektet zgjedhore nuk plotësojnë detyrimet e tyre kundrejt KQZ-së për paraqitjen e listës së votuesve për zgjedhjet parlamentare të qershorit, marrin sanksione që variojnë nga 30-90 mijë lekë. Ristani propozoi që gjoba ndaj krerëve të njësive vendore të jetë ajo maksimale. ”Mendoj që kryetarët e njësive vendore duhet të gjobiten me maksimumin që lejon Kodi, sepse e kanë vepër të përsëritur”, - u shpreh Ristani.
Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmani, kërkoi që sanksioni ndaj njësive vendore të jetë 50 mijë lekë. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe anëtarët dhe përfaqësuesit politikë në KQZ. Ristani u bëri apel krerëve të njësive vendore që të marrin masa. Në rast të kundërt, kreu i KQZ-së kërcënoi me sanksione më të rënda. ”KQZ-ja do të bëjë kallëzim penal për të gjithë ata kryetarë që nuk depozitojnë listat e zgjedhësve në një kohë të shkurtër”, - u shpreh Ristani. Numrin më të madh të kryetarëve të njësive vendore që do të ndiqen penalisht i ka ai i Shkodrës, Tiranës dhe i Vlorës. Në qarkun e Tiranës do të gjobiten 7 kryetarë komunash, në Vlorë 9 dhe në Shkodër 10 kryetarë komunash. Mosdepozitimi i listës përfundimtare të zgjedhësve, sipas kryetarit të KQZ-së Arben Ristani, rrezikon tërë ecurinë e procesit. Vendimi për vendosje sanksionesh ndaj krerëve të njësive vendore ka qenë objekt diskutimi edhe tri ditë më parë në mbledhjen e KQZ-së. Të martën, nga 383 njësi, vetëm 135 prej tyre i kishin dorëzuar listat e zgjedhësve në KQZ.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›