Bashkimi i PBDNJ-së me PS-në, Berisha ndryshon kabinetin qeveritar
Eljona Ballhysa
Largimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga koalicioni i djathtë e ka detyruar kryeministrin Berisha të ndryshojë sërish kabinetin qeveritar. Gjatë ditës së djeshme ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Anastas Duro, zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha, të cilit i paraqiti dorëheqjen nga posti i ministrit. Kryeministri Berisha e pranoi dorëheqjen e Duros për shkak të kalimit të PBDNJ-së në koalicion me Partinë Socialiste. Në postin e ministrit të Punës Berisha ka emëruar zëvendësministrin e Drejtësisë Viktor Gumin. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi menjëherë emërimin e Gumit në krye të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.
Dorëheqja
“Nëpërmjet mediave, opinioni publik është informuar në lidhje me vendimin e PBDNJ-së që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të kandidojë në koalicionin opozitar “Bashkimi për ndryshim”. Në këto kushte, si rrjedhim logjik i situatës politike të krijuar, si ministër i propozuar dhe përfaqësues i PBDNJ-së në qeverinë ‘Berisha’ nuk mund të vazhdoja të mbaja më këtë funksion. I paraqita kryeministrit Berisha propozimin për dorëheqjen time nga detyra e ministrit, duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratën time më të lartë për bashkëpunimin dhe vlerësimet e larta që kam pasur për periudhën gjatë së cilës kam mbajtur postin e ministrit të Punës në kabinetin ‘Berisha’”, - sqaroi ministri Duro. Pyetjes nëse ka qenë dakord me vendimin e PBDNJ-së për të kaluar në koalicion e PS-së, Duro i është përgjigjur se edhe pse, për shkak të impenjimeve, nuk ndodhej në mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është marrë vendimi, si anëtar i Kryesisë, në zbatim edhe të parimeve të demokracisë, i bindet vendimmarrjes së shumicës.
Emërimi
Pas takimit me Duron, kryeministri Berisha njoftoi nëpërmjet zëdhënëses për shtyp pranimin e dorëheqjes së tij dhe emërimin në postin e ministrit të Punës, Viktor Gumin. Me propozimin e kryeministrit, i është kërkuar presidentit dekretimi i ministrit të ri të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Viktor Gumi.
Viktor Gumi është cilësuar si njohës i thellë i ligjit në të gjitha fushat e administrimit gjyqësor dhe nga 20 qershori i vitit 2008 ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Drejtësisë. Më herët Gumi ka kryer detyrën e drejtorit të Përgjithshëm i Kodifikimit, të cilën e mori në vitin 2006, pas shtatë viteve eksperiencë si këshilltar dhe drejtor i Departamentit Juridik në Parlament. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të Venecias, i bordit të Shkollës së Magjistraturës si dhe që prej 2006-s pedagog i jashtëm në këtë shkollë. Gumi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1996 si dhe ka mbaruar një sërë studimesh pasuniversitare.
15 Maj 2009