E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takohet me kreun e ODIHR-it, Glover, shprehet shqetësimi për çështjen e kartave



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me shefen e misionit të ODIHR-it, ambasadoren britanike, Glover. Gjatë këtij takimi Ilir Meta dhe znj. Glover diskutuan për problemet kryesore që hasen në realizimin e standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Biseda është përqendruar kryesisht te problemi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Gjithashtu, në emër të LSI-së, Meta ka dhënë mbështetjen maksimale ndaj misionit të vëzhguesve për procesin zgjedhor të 28 qershorit. “Me shefen e misionit të OSBE-ODIHR-it, znj. Glover, kemi diskutuar për zgjedhjet e 28 qershorit. Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme për problemet kryesore të standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe natyrisht ne kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për vështirësitë e mëdha që po hasin shqiptarët për t’u pajisur me kartat e identitetit. Kemi kërkuar për të sqaruar këto procedura kaq të ngarkuara dhe, së dyti, kemi kërkuar që qeveria të tregojë një vullnet të sinqertë për të mbështetur nga pikëpamja logjistike të gjithë procesin që të mos zvarritet deri tani, se përndryshe kemi një ambient kontestues të procesit të ardhshëm zgjedhor që nuk është në interes të vendit tonë. Gjithashtu kemi shprehur shqetësimin lidhur me transparencën e mediave dhe njëkohësisht me përpjekjen artificiale të dy forcave politike për të përjashtuar nga debatet në radhë të parë Lëvizjen Socialiste për Integrim, që tregon qartë një frikë nga mungesa e argumenteve
për ballafaqimin për çështjet më të rëndësishme që ka vendi dhe qytetarët. Së treti, kemi kërkuar marrjen e masave për të pasur të gjitha standardet e premtuara në Kodin Elektoral lidhur me administrimin e procesit të dytë në zgjedhje, pasi dita e zgjedhjeve është gjithashtu shumë më e rëndësishme sesa vetë fushata zgjedhore, dhe natyrisht kemi shprehur rezervat tona lidhur me vullnetin e deritanishëm në radhë të parë të qeverisjes dhe të maxhorancës për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor në Shqipëri”, - tha Meta. Ai deklaroi gjithashtu se LSI-ja ka vullnet maksimal për të bashkëpunuar me OSBE-ODIHR-in, si dhe për të performuar me të gjithë faktorët e tjerë, të cilët kanë një rol për të luajtur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›